Egnatia vuan, u “falet” shtesave ndaj Vorës

Fatmir Efica

Egnatia debuton me fitore në takimin e vlefshëm për turin paraeliminator të Kupës së Shqipërisë, duke mposhtur me rezultatin 3-1 Vorën. Të besuarit e trajnerit Vladimir Gjonaj arritën që të fitojnë sfidën vetëm në minutat shtesë, pasi 90 minutat e krejt takimit u mbyllën në barazim 0-0. Duhet theksuar se Vora rezistoi mjaft mirë. Te Egnatia ra në sy aktivizimi që nga minuta e parë e dy lojtarëve të ardhur së fundmi, mbrojtësi Klaudio Rexhepaj dhe sulmuesi Mateo Hasa. Golat e takimit u shënuan nga Nako, Mile e Gjuzi për Egnatian dhe Çeka për Vorën.

NDESHJA – Ndeshja nisi mirë për rrogozhinasit, që e përqendrojnë lojën tek Mile dhe Gjoka. Miqtë nga Vora provojnë të kundërsulmojnë me topa të gjatë, duke rrezikuar me Fuçinë dhe Shkëmbin. Me kalimin e minutave, të dyja skuadrat kanë mundësi të shumta shënimi por gabojnë në shënjestër. Në minutën e 3, është Shkëmbi që gjuan me kokë brenda zonës dhe topi shkon mbi tra. Egnatia do të ketë mundësinë e parë ideale për të gjetur rrugën e rrjetës me Milen në të 16’, por pret në pozicion Hoxha. Vora vijon sulmet te porta rrogozhinase dhe në të 20’ është Çeka që lëshon një “predhë” nga jashtë zone dhe topi përplaset te shtylla pingule. Pjesa e parë përfundoi me rrjeta të pa prekura. Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat janë më aktive në fushën e lojës. Selimaj ka mundësi shënimi, por është Baholli ai që në të 66’ nga një goditje dënimi gjuan bukur dhe Hoxha e ka pritur në dy kohë. Pavarësisht përpjekjeve që bënë në minutat e mbetura, gjithçka u mbyll pa gola.

SHTESAT – Pas përfundimit të kohës së rregullt, takimi shkoi në minutat shtesë. Duhet theksuar se shtesa e parë qëlloi me fat për Egnatia, që shënon tri herë me Nakon, Milen dhe Gjuzin dhe me Vorën që shënon golin e nderit me Çekën. Rrogozhinasit duken të kënaqur me shënimin e golit të tretë, ndërsa miqtë duken të dorëzuar në çdo drejtim. Egnatia kalon më tej dhe më 13 shtator do të ndeshet me Kukësin në shtëpi.

KUPA E SHQIPËRISË / TURI PARAELIMINATOR

Egnatia – Vora    3-1

Shënues: Nako 97’, Mile 101’, Gjuzi 118’ / Çeka 107’

Egnatia: Birja, Nako, Vogli, Selimaj, Rexhepaj (68’ Gjuzi), Dosti (108’ Gjyla), Baholli, Karaj , Gjoka, Vata (38’ Hasa), Mile. Trajner: Vladimir Gjonaj.

Vora: Hoxha (98’ Xhaferri), Abazaj, Pinari, Balliu, Toli (105’ Gjikola), Xhafa, Isaraj, Çeka, Mziu, Shkëmbi (71’ Lazri), Fuçia. Trajner: Gerald Cani.

Gjyqtarë: M. Dyrmishi, G. Çela (Poliçan), A. Ajdini (Berat)

Delegat: S. Demollari (Tiranë)

Vëzhgues: A. Guçi (Lushnjë)

Kartonë të verdhë: Baholli 37’, Rexhepaj 61’ , Toli 63’,  Selimaj 68’,  Gjuzi 119’

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *