Editorial/ Të luajmë si ndaj Çekisë apo të mbajmë pikën e fortë? Thika me dy presa, e mesmja e artë e opinionit që nuk gjendet te Shqipëria

Nga Klaudio Ndreca

Shqipëria e ka mbyllur edhe miqësoren e dytë të qershorit përpara ndeshjeve të vërteta që janë për kualifikueset e Botërorit. Këtë herë ishte menduar për rivalë të nivelit të lartë dhe që i shkojnë përshtat kundërshtarëve tanë teksa kuqezinjtë u përballën me Uellsin dhe Çekinë. Dy ndeshje që ofruan panorama tërësisht të ndryshme jo vetëm për shkakun e rezultatit që nuk ka rëndësi në miqësore. Apo…mos ndoshta ka rëndësi? Pak kontradiktore kjo, shumë në fakt, por le të vazhdojmë diskutimin.

Në ndeshjen kundër Uellsit kemi arritur të marrim barazimin 0-0. Kjo Kombëtare renditet në vendin e 17 në FIFA dhe tregon qartësisht nivelin e saj. Pra jemi përballur me një prej ekipeve më të mira në botë duke ofruar panoramën më të varfër nga të dyja krahët. Kjo është meritë tonën apo mungesë aftësie tonën? E gjithë skuadra po e mbronte si një trup i vetëm dhe e gjitha kjo mundësoi për Gentian Selmanin që të vendosej vetëm njëherë në provë për të treguar aftësitë e tij.

Por në fundin e ndeshjes nuk u nda askush i kënaqur në opinionin sportiv. Sipas komenteve të marra rezultati në miqësore nuk vlen për asgjë. Shqipëria bëri 0 gjuajtje në portë dhe menjëherë nisën që të vërshonin kritikat e mëdha sikur kuqezinjtë ta kishin “shtëpinë e tyre” Europianin dhe Botërorin.

Për të kaluar te kjo përballje e dytë me Çekinë. Këtë herë kemi një panoramë tërësisht tjetër. Le t’i futemi pak statistikave që tregojnë si më poshtë: “Mundësitë e shënimit 13-12. Mbajtja e topit 50%-50%. Goditjet nga këndi 3-7”. Pra teksa barazohemi me nivelin e lojës me një Kombëtare që ka qenë historikisht më lartë se Shqipëria, papritur është rezultat primar dhe Reja që nuk duhet të kënaqet kurrsesi me një humbje.

Pyetja që shtrohet: “Do të provojmë të dalim nga vetja në miqësore apo të kthehemi në lojën tonë tipike të stilit italian?”. Por nëse biem në dakortësi për këtë të fundit, gjithkush duhet të hesht. Në Shqipëri ka pak mundësi argëtimi dhe krenarie për të garuar me botën mbarë, sa i përket një simboli që i përfaqëson të gjithë njerëzit.

E për këtë arsye kurrsesi tifozët shqiptarë nuk mund të pranojnë një humbje të bukur, por kërkojnë fitore, sado të shëmtuara të jenë ato. Kërkojnë fitore si të De Biazit që sërish u kritikua dhe u stër kritikua nga opinionistët e ndryshëm sportiv edhe pas kualifikimit në Europian. Pavarësisht se ishte ky njeriu që na dërgoi për herë të parë në një nivel ku nuk kishim mbërritur kurrë në historinë tonë, duhej të hiqte dorë nga loja mbrojtëse dhe të kërkonte më shumë nga ekipi.

“Jemi Shqipëria e Europianit”. Por nga ana tjetër duke harruar se ishim po me të njëjtët lojtarë që nuk mund të bëjnë kurrsesi diferencën të vetëm. Mënyra sesi Shqipëria mund të fitojë është duke harxhuar edhe frymën e fundit në fushën e lojës dhe të fitojë qoftë edhe me një goditje në portë, nuk ka rëndësi. Në fund askush nuk flet për humbjet e lojërave të bukura, ajo që mbahet mend janë fitoret e shëmtuara. Në fund në historinë e Shqipërisë do të shkruhet pozitivisht ai barazim i marrë 0-0 në transfertën e Uellsit me panoramën e varfër, jo humbja e pësuar ndaj Çekisë në shifrat 3-1 duke krijuar 12 mundësi goli dhe duke pasur topin 50% në zotërim. Për këto të fundit nuk do interesohet më askush.

Kjo ndeshje kundër Çekisë e tregoi qartësisht se në momentin kur Kombëtarja nuk mbron me intensitet të lartë si një grup i vetëm, lë hapësira të frikshme në prapavijë. Lë hapësira që të frikësojnë edhe kur në mbrojtje gjenden emra si Ismajli, Gjimshiti apo Kumbulla. Këta të fundit mund të fitojnë duelet një për një me kundërshtarët, por nuk mund të bëjnë asgjë kur “pushtohen” nga trupat rivale brenda zone.

E sa shumë mundësi shënimi që kishte për Çekinë në pjesën e parë kur Shqipëria e nisi me vrullshëm se kurrë në pjesën ofensive. Skemat dhe mënyra e lojës vendoset gjithmonë nga trajneri Reja. Ne duhet të zgjedhim se çfarë veshje preferojmë që të shohim te Kombëtarja. Ajo e lojës me fantazinë e madhe në sulm dhe efikasitetin para portës është e pamundur që të ndodhi me grupin aktual duke parë ekipet që përfaqësojnë futbollistët. Por të luajturit si një trup i vetëm, për të minimizuar shanset e kundërshtarëve dhe duke kërkuar gjithmonë nga lojtarët që të mbajnë ndezur “flakën” është mëse e mundur.

Pikërisht si në kohën kur u kualifikuam në Europianin e Francës, për sa kohë Shqipëria nuk e ka ende një yll që të bëjë diferencën i vetëm. E nëse do të shohim ndryshimin e ekipeve ku luajnë lojtarët e Kombëtares aktualisht për ta krahasuar me periudhën e Europianit është thuajse e njëjta panoramë, me ndryshimin e vetëm të një Gjimshiti të transformuar tanimë. Pra kërkesat për lojë të bukur pavarësisht rezultatit dhe kritika pas humbjeve me koston e lojës së bukur le të mbeten në studio, ajo që kërkojnë tifozët shqiptarë nga Reja është arritja e rezultateve, qoftë edhe me të vetmen goditje në portë që të vijë në minutën e 90’+3’.

E në momentin kur Armando Broja të jetë titullari fiks i Chelsea-t, kur Rei Manaj të luajë me një ekip të nivelit të lartë në Serinë A, kur Armando Broja dhe Ansi Mehmeti të luajnë në “Premier League”, kur Sherif Kallaku të jetë vendimtar në një ligë të fortë europiane, nuk mund ta ngremë stekën më lart pasi do të dështonim me sukses. Le të kapemi fort edhe pas një pike të vetme të fortë që kemi dhe që na e njohin në Europë, pasi aventurat e mëdha me zhbalancime janë histori që përfundojnë si me Panucin. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *