Editorial nga Xhevdet Zekaj/ Zgjedhjet në FSHF, duam apo nuk duam shoqata…?!

Nga Xhevdet Zekaj

Fushata e zgjedhjeve në futbollin shqiptar ndahet në disa këndvështrime. Kandidatët kanë qasje të ndryshme: disa vijnë me realitetin e asaj që kanë bërë, të tjerët me propagandë, premtime, rrena, edhe me histori e legjenda urbane, edhe shpikje miqsh e mbështetësish imagjinarë. Ka nga ata që vetëmburren nëpër televizione si thesi me krunde… Po bëhet nami! Skandal, – shkruan një fletushkë jeshile sportive, paçavure, që fjalën skandal e ka bërë si fjalën mirëmëngjesi, aq sa ka zhvlerësuar imazhin e vet. Në fakt, i vetmi skandal është paaftësia e eunukut në krye të saj…

Natyrisht edhe unë jam njeri, jam subjektiv, ndryshoj apo rivlerësoj sjelljen time në funksion të realitetit që ndiejmë, shikojmë, përjetojmë. Kur fillon një fushatë, gjëja e parë që mendoj është se cilët janë kandidatët dhe çfarë kontributesh kanë në fushën e sportit, apo akoma më thjeshtë në futboll. Nuk kam shumë dyshime dhe e them me bindje se Armand Duka është në kulmin e suksesit, si në krye të FSHF-së, edhe si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Ai ka siguruar pafund të ardhura e projekte, ka ndërtuar tri stadiume të nivelit europian. As Serbia nuk ka të tillë. Ka rikonstruktuar dhjetëra stadiume të Kategorisë së Parë, ka ndërtuar zyra moderne, qindra fusha e investime marramendëse në infrastrukturë, ka dhënë mijëra e miliona euro për Superligën, futbollin e femrave, të moshave, të sallave, atë me nëntë lojtarë, futbollin amator. Ka mijëra të punësuar etj, etj. Kaq, pastaj për të tjera do të flasim më vonë.

Dritan Shakohoxha ka shkëlqyer si komentator, drejtues sporti i TV Arbërisë, Klan etj. Për shumë vite krahu i djathtë i Dukës, personalisht më ka dhënë tek dyqani i tij shpesh herë bileta për ndeshjet e kombëtares. madje më shumë kish ai bileta ndonjëherë se Duka dhe Shulku. Befas la ekranin dhe mikrofonin për t’iu futur garës për kreun e FSHF-së. Asgjë e keqe. Madje për median vizive është mungesë për atë humor shprehjesh të goditura, bërtitura dhe që i pëlqente popullit. Shako ka sukses individual, por nuk di çfarë të shtojë si merita. Vetëm nëse ka ditur të bëjë lobizëm politik, që ta bëjnë atë optimist, por jo futbollin. Starova thjesht nuk ka thënë ende asgjë, as ka parashtruar platformë.

Përvoja, personaliteti, kontributi në sportin e luajtur dhe drejtim të futbollit e bëjnë një kandidat serioz dhe rival të Dukës e Shakos, por të presim për më tej.Tani një gjë nuk kuptoj me “skandalin” e leshit të fletushkës jeshile dhe nja tre vipave të stërpërdorur. Ore, është mirë apo keq që shoqatat janë miratuar në asamble, organi më i lartë i familjes së futbollit, janë regjistruar në gjykatë, janë miratuar në statutin e FSHF-së, janë miratuar nga Ministrja Kushi më 07.07.2021.

Pra, si jemi me katër vite më parë? Ndryshime kolosale apo jo! Janë institucionale! Mos të harrojmë se sot janë mbi 25000 futbollistë e futbolliste, shumica në futbollin amator, që menaxhohen, drejtohen, financohen nga FSHF-ja, duke u dhënë pavarësi e stimuluar drejt një vetadministrimi. Po, normal fare nëse një pjesë fut në lojë të fortë e politikanë (i kemi cituar në shkrime të tjera), po FSHF a nuk ka të drejtë të jetë aktive në zgjedhjet për kryetarët e shoqatave amatore? Ata mos të kërkojnë siguri e bashkëpunim me njerëz të besuar dhe vizionarë?

Pse, me dy shoqata apo tre emra të pakënaqurish në zgjedhjet e futbollit amator do ndërtohet kauza për të bërë propagandë, si ajo për “skandalin” e leshit të fletushkës jeshile??? Përse nuk flitet për aleancën politike të trumbetuar nga kandidatët konkurrues hapur dhe si thelbi i fushatës së tyre? Ka një arsye nga më idiotet, të iki Duka se ka 20 vite. Kjo logjikë skandaloze e njerëzve të vegjël të bën të gajasesh: të iki se ka 20 vite apo të iki se është i suksesshëm? Apo të iki për të ikur? Duka ka 20 vite, por institucioni i tij është europian. Ai është në qeverinë europiane. Përse nuk thonë këta njerëz të iki Berisha, Meta, Rama, Veliaj, Monika, Spaho, Shehu etj, etj, që jo vetëm e degjeneruan, vranë, vodhën e shkatërruan këtë vend, por janë vite-dritë larg Europës, kurse futbolli i Dukës është në drejtim të standardit europian. Mjaft me propagandë bajate, alla fletushkës jeshile. Jepni fakte, bëni analiza, përdorni argumente serioze dhe mos bëni shumë zhurmë për asgjë. Shoqatat janë në të drejtën e tyre dhe mos i njollosni sipas shijes së humbësve kronikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *