Editorial/ “Futu, fortë aty, bravo!” Partizanit i ka ardhur në “majë të hundës” italishtja, e zbuluam gjuhën e bekuar

0

Nga Klaudio Ndreca

Një paraqitje e mrekullueshme ishte ajo e Partizanit në derbin ndaj Tiranës duke flirtuar me fitoren, që i’a hoqi nga duart Muçi në minutat e fundit. Vlerat i ngrihen ekipit që drejtohet nga Sormani për faktin se nuk ishte i barabartë me kundërshtarin në përgatitjen e ndeshjes. Disa lojtarë të dalë pozitiv me Koronavirusin, braktisja që i bëri vetë trajneri ekipit, skandalet e fundit të publikuara dhe prishja e qetësisë së lojtarëve, janë mjaftueshëm arsye që një ekip të dorëzohet lehtësisht në derbi.

Por kjo nuk ndodhi me Partizanin që i shkoi aq pranë edhe fitores. Çfarë ndodhi me të kuqtë në këtë përballje me Tiranën, ndërsa në rastin e fundit kishin humbur me shifrat 5-1? Ikona e klubit të Partizanit, Edmond Dosti, shpeshherë shprehet: “Partizani ka nevojë të dëgjojë shqip, ka nevojë për një trajner shqiptar, nuk duhen më italianët”.

Këto fjalë që shkruhen kanë kaluar pa e kuptuar rëndësinë e madhe. Gjithçka u pa qartë në ndeshjen ndaj Tiranës, ku frika e trajnerit Sormani dhe stadiumi i boshatisur krijoi gjithë terrenin për të kuptuar vlerën e trajnerit dhe transmetimit të mesazhit gjatë ndeshjes.

Menjëherë pasi erdhi goli i parë i Partizanit ishte thuajse i gjithë stoli i të kuqëve që ishte ngritur dhe kishte marrë vendin e Sormanit. Si të ishin çliruar dhe klubi t’u rikthehej atyre që u takonte, shqiptarëve, që nuk e menduan dy herë të gjendeshin në stolin që trajneri italian nuk e dëshironte pasi mund të infektohej me pandeminë. A thua jeta e italianëve vlen më shumë sesa ajo e shqiptarëve? Olsi Rama e prezantoi si çështje kulture, por më tepër është përgjegjësie.

E teksa Partizani ishte në shifrat 1-0, në çdo duel që ishte gati për të nisur mes lojtarëve dëgjoheshin thirrjet e forta që buçisnin nga krahu i të kuqëve: “Hajde hajde, futu fortë aty, futu fortë. Bravo ajo ishte”.

Ishte kjo mënyra sesi u dha një “krahë” edhe futbollistëve që shpeshherë dilnin edhe përtej mundësisë së tyre duke luftuar për çdo top, ndërsa ishin të motivuar nga përgëzimet dhe nxitjet që u vinin në gjuhën e bekuar…shqipe! Shumë më ndryshe nga ulërimat e Sormanit që në disa raste nuk kuptohen nga lojtarët e jo më për t’i ngjallur një emocion ndryshe. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.