Edhe perënditë kanë idhuj dhe zemër. Zllatan Ibrahimoviç është një nga futbollistët më të mëdhenj të historisë së futbollit dhe një person, i cili nuk është se e preferon shumë fjalën modesti dhe përulësi, përkundrazi. Për një personazh si Ibra ndjen adhurim, ose urrejtje.
Por, dhe gjiganti suedez ka idhullin e tij, të cilin e ka zbuluar në një prononcim për “El Mundo Deportivo”. Deklaratë ndryshe nga të tjerat, Ibra zbret në tokë, “kthehet” në human dhe thur elozhe për… Patrik Vieira. Të dy kanë luajtur bashkë te Juventusi dhe Interi dhe mesfushori francez është një nga të paktët njerëz, të cilët kanë ndikuar në karrierën dhe stilin e 37-vjeçarit.
“Gjithmonë më kushtonte vëmendje mua. Kur mendoja se ajo çfarë po bëja ishte e mjaftueshme, Vieira më shpjegonte dhe bënte të kuptoja të kundërtën. Patrik më ka mësuar se është gjithmonë e nevojshme të japësh më shumë. Ai ishte një futbollist fenomenal, i cili do të mbetet në historinë e futbollit. Jam i lumtur që kam njohur Vieiranë (futbollistin), si dhe Patrikun (njeriun). Ai ka influencuar shumë që të jepja gjithmonë 120% në ndeshje”, përfundon Zllatan Ibrahimoviç.