Edhe në Vlorë duartrokasin Skënderbeun, Idrizi: Skënderbeu na bëri krenarë

Administratori i Flamurtarit është optimist para përballjes me korçarët. Rikthehet Fjoralb Deliaj. Me bardhekuqtë, një përballje “ish”-ësh

Elton Nika

Ashtu si edhe një vit më parë, Flamurtari e nis kampionatin nga Korça. Një vit më parë vlonjatët humbën 2-1 përballë Skënderbeut, në një ndeshje të vendosur vetëm në minutën e 88-të, pas një penalltie që asokohe u quajt jo e drejtë nga vlonjatët, por u realizua nga shkodrani Hamdi Salihi, i cili i dha fitoren skuadrës së tij. Skënderbeu këtë verë ka bërë histori në kupat e Europës, ndërsa tek Flamurtari ndryshimet kanë qenë të shumta, ndaj jo më kot në kampin vlonjat e quajnë viti i ndryshimit, duke shpresuar në një sezon sa më pozitiv, madje duke nisur që nga ndeshja e parë, pavarësisht vështirësisë së këtij 90-minutëshi. Ndërkohë edhe vetë administratori Idrizi e ka vlerësuar këtë takim, duke besuar në një rezultat pozitiv të Flamurtarit. “Skënderbeu na ka bërë krenarë për futbollin shqiptar, por tashmë më intereson vetëm Flamurtari dhe besoj plotësisht te kjo skuadër, që do të bëjë një ndeshje shumë të mirë në Korçë. Është punuar gjatë gjithë kësaj kohe dhe skuadra më duket gati. E rëndësishme mbetet që skuadra të përfaqësohet sa më mirë në fushën e lojës. Kjo është e rëndësishme dhe unë këtë e ripërsëris sërish. Gjithsesi t’ia lëmë fushës, por të gjithë besojmë te kjo skuadër dhe presim një ndeshje shumë të mirë në Korçë ndaj Skënderbeut, pavarësisht se e dimë që do të luajmë përballë një skuadre cilësore”, ka thënë Idrizi për “Sport Ekspres”.

“ISH”-ËT NË FUSHË

Takimi mes Flamurtarit dhe Skënderbeut do të jetë një ndeshje ku nuk do të mungojnë lojtarët që janë aktivizuar te të dyja skuadrat. Një prej tyre është Donjet Shkodra, që sezonin e kaluar ishte pjesë e Flamurtarit, madje një nga lojtarët më cilësorë të vlonjatëve. Gjergji Muzaka gjithashtu ka veshur fanellën kuqezi në dy periudha, ndërkohë që edhe Gledi Mici ka dhënë një kontribut të vyer te Flamurtari, duke fituar edhe Kupën e Shqipërisë. Por “ish”-ët nuk mungojnë as në Vlorë. Trajneri Shpëtim Duro, aktualisht në krye të Flamurtarit, i ka dhuruar titullin Skënderbeut shtatë sezone më parë, ndërkohë që edhe Ditmar Bicaj ka qenë pjesë e korçarëve, duke fituar katër herë titullin kampion.

DELIAJ

Pas sulmuesit Tungara, Flamurtari zyrtarizon edhe një tjetër afrim, teksa bëhet fjalë për talentin vlonjat Fjoralb Deliaj. Mbrojtësi, i cili luan edhe si mesfushor, është një futbollist i rritur te moshat e Flamurtarit, ndërsa për dy sezone ka qenë pjesë e Tiranës, duke u aktivizuar me skuadrën e parë bardheblu. Talenti vlonjat rikthehet tashmë në shtëpi, teksa do të jetë një forcë më shumë në grupin e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro. Deliaj mund të luajë në disa role dhe është afrimi i fundit te Flamurtari. Në skuadër konkurrenca është rritur ndjeshëm dhe lufta për një vend në formacion do të jetë gjithmonë edhe më e ashpër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *