Rei Manaj po përjeton majën më të lartë në karrierën e tij. 14 golat e shënuar sezonin e shkuar e renditën si golashënuesin më të mirë të Barcelonës B, status të cilin e ruajti edhe me ekipin e parë. Barça ka përfunduar mbrëmjen e djeshme fazën përgatitore dhe njeriu gol i këtyre ndeshjeve ka qenë pikërisht Manaj. Sulmuesi shqiptar ka shënuar më shumë se kushdo tjetër. 4 gola mbajnë firmën e tij, i ndjekur nga Depay me 3 të tillë.
Ofertat për të janë rritur ndjeshëm pas paraqitjeve të fundit, ashtu sikurse edhe vlera e kartonit të tij. Megjithatë zhvillimet e fundit mund ti japin edhe një tjetër mundësi të artë. Duket se edhe fati po punon për 24-vjeçarin, i cili mund të debutojë në La Liga me Barcelonën. Katalanasit kanë humbur përfundimisht Mesin, ndërsa një javë para fillimit të kampionatit mbetet edhe pa shërbimet e Agueros.
Sulmuesi argjentinas është dëmtuar në stërvitje dhe sipas asaj që raporton media spanjolle “Sport”, pritet të mungojë gjatë. Koha kur Aguero do të mund të zbresë përsëri në fushë me Barcelonën është në mesin e muajit nënton, pasi dëmtimi pritet ta lërë jashtë për 10 javë. Diçka e tillë shtyn Koeman ti japë edhe një mundësi Manajt, me La Ligan që fillon më 15 gusht./Halit Delibashi-Sport Ekspres/