Më në fund Kristiano Ronaldo u zhbllokua. Në javën e katërt, portugezi gjeti golat e parë në Serinë A. Të gjithë e prisnin dhe ai nuk i zhgënjeu pritshmëritë, duke shënuar dy golat e fitores ndaj Sasuolos. CR7 foli rreth presionit të krijuar, duke konfirkuar se në fund të fundit, edhe ai është njeri.
“Isha paksa në ankth. Pas transferimit nga Reali te Juventusi, pritshmëritë e të gjithëve ishin të larta”, pohoi ylli luzitan. Ronaldo i priste këto gola, si formë çlirimi pas çdo rasti të humbur në tre javët e para.
“Jeta është e tillë – vijoi Ronaldo për ‘Sky Sport’ – Po punoj mirë dhe shokët e ekipit po më ndihmojnë shumë, që të përshtatem me kampionatin e ri. Dëshiroja shumë të shënoja dhe jam i kënaqur”.
Tashmë CR7 mund të përqendrohet maksimalisht te debutimi në Champions League, të mërkurën në fushën e Valencias. Triumfi në Europë është objektivi madhor i portugezit dhe Juventusit: “Champions-i është turneu që e dua më tepër. Shpresojmë të kemi fat. Është një grup i vështirë, por po pres me padurim ta nisim këtë aventurë”.