Ecuria e mirë e Interit, 54 milionë euro fitime nga Champions-i dhe… tifozët

Pas një fillimi të vështirë në kampionat, Inter është rikthyer të fitoret dhe ka rritur entuziazmin e tifozëve. Gjashtë fitore rresht mes kampionatit dhe Champions-it, ndërsa Spaleti ka meritat e tij për gjetjen e kurës së duhur për ekipin.

Kapiteni Mauro Ikardi është rikthyer të shënojë, ndërsa ecuria në Europë është fantastike. Grupi është i vështirë me ekipe si Barcelona, Totenhem dhe PSV, por zikaltrit kryesojnë bashkë me Barcelonën me nga dy fitore në dy ndeshjet e para.

Ecuria e mirë në fushën e blertë ka sjellë dhe rritjen e të ardhurave dhe mbushjen e arkave të klubit. Inter ka arritur të fitojë 54 milionë euro në këtë fillim sezoni, shumë e barabartë me 20% të fitimeve vjetore të klubit italian.

44.3 milionë euro janë mbledhur nga Champions-i, duke llogaritur dhe shifrën e pjesëmarrjes dhe bonuset për dy fitoret e fundit. Tifozët kanë dhënë kontributin e tyre, duke mbushur stadiumin në ndeshjet në shtëpi. 10 milionë euro fitime ka arritur Inter nga shitja e biletave në pesë ndeshjet shtëpiake.

Duke llogaritur që stadiumi do të jetë plot dhe të gjitha biletat janë shitur për derbin kundër Milanit dhe supersfidën kundër Barcelonës në Champions, klubi zikaltër do të përfitojë disa milionë euro të tjera.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *