Të luash kundër ekipit të zemrës dhe të festosh përgjysmë. Kjo i ndodhi Idriz Bathës, i cili u lumturua nga suksesi i Flamurtarit, ndërsa tregon vështirësitë e aktivizimit përballë ish-ekipit të tij, Partizanit, ku ka qenë edhe kapiten. Në programin “Fair Play” në “Ora News”, mesfushori zbuloi edhe atmosferën në Vlorë.
NDESHJA – “Futbolli është i tillë, duhet të luash edhe kundër ish-ekipit. Këto gjëra ndodhin në të gjithë botën dhe jo vetëm në kampionatin shqiptar. Është e vështirë të luash kundër skuadrës që e ke në zemër dhe ku ke kaluar shumë vite, megjithatë fitorja është e bukur”.
PARTIZANI – “Përsa i takon grupit nuk ka shumë ndryshime, në ekip janë afruar vetëm disa lojtarë të rinj, dy apo tre të tillë. Ndryshimi më i madh është në stol, kur ka ardhur një trajner i ri, por që deri më tani ka bërë mirë dhe këtë e tregojnë rezultatet. Sigurisht që Partizani është ekipi i momentit, por jam i kënaqur edhe në Vlorë”.
FLAMURTARI – “Në Vlorë nuk ekziston presioni, që mund të kesh në kryeqytet, në një ekip si Partizani. Këtu njerëzit e duan sportin, madje i kënaq më tepër loja e bukur sesa te pikët. Nëse ekipi luan bukur, mund të thuhet që ata nuk e kanë problem nëse humbet. Nuk ka presion, si nga drejtuesit, ashtu edhe nga tifozët: një situatë, e cila e ndihmon ekipin të shprehet më mirë. Kjo është diçka që të kënaq, për më tepër në këto momente kur po vijnë edhe pikët. Shpresojmë të arrijmë ti kënaqim tifozët që na vijnë në stadium”.