E veçantë/ Verdiktet e mësuara nga java e 17 e Superiores, në baltën e Partizanit apo në besimin e shkodranëve?

Nga Klaudio Ndreca

“Zoti është me…ata”! Në baltën e Partizanit apo në besimin e shkodranëve?

Kur Egbo u zyrtarizua si trajneri i Tiranës tregoi arsyen se përse hezitoi për të marrë bardheblutë dhe për mënyrën sesi mbërriti në vendimin për t’u ulur në stolin e kryeqytetasve. “Hezitova pasi duhej të flisja me Zotin dhe njerëzit e tij, ata më thanë për ta marrë Tiranën. Zoti është me ne”. Shumëkush nisi të qeshte dhe të bënte humor me këtë deklaratë, duke i vendosur edhe nofkën “i çmendur”. Nuk kaloi shumë kohë dhe kjo buzëqeshje nisi të ngrinte në fytyrë. Tirana marshoi me një numër rekord të fitoreve radhazi që nuk ishte parë në vitet e fundit në kampionatin shqiptar. “Kur do të ndalojnë?”. Për më tepër shumë prej tyre erdhën në minutat e fundit dhe me përmbysje. Pra edhe personi më mosbesues, do të shtangej për një moment duke i lidhur fitoret e Tiranës me një fenomen që nuk ishte edhe aq njerëzor. “Nëse nuk e ke Zotin në krah, gjërat nuk bëhen ashtu siç do ti. Nëse jep më të mirën, atëherë ai do të shohë dhe do të japë atë që do ti”, do të shprehej Egbo.

Rezultatet folën qartë për mënyrën sesi Tirana u mor nga vendet e fundit dhe fitoi titullin kampion apo edhe për mënyrën sesi kaluan në “Play-Off” të Europa League, duke qenë në dy skuadrat që nuk duhej të luanin fare turin e tretë. Këtë herë duket se “Zoti është me Vllazninë”, pavarësisht se Egbo nuk e ka treguar një tjetër bisedë. Besimi është i një skuadre që bën gjithçka mirë në strukturën e saj dhe që lufton si një grup i vetëm, pa grindje e përçarje mes tyre, por me pasionin që duket qartësisht për të arritur në objektivin e shumëkërkuar në djepin e futbollit. Këtë herë besimi vjen në sponsorin që pret edhe pak kohë për të marrë emërtimin si presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, por që Shkodër e quajnë të tillë edhe pa e marrë këtë titull. Megjithëse nuk ka të njëjtën shprehi si ish-trajneri i Tiranës në konferencat për shtyp, në rrjetet sociale dallohet qartësisht edhe veshja hyjnore që i bëhet pas çdo triumfi të shkodranëve. Te Partizani mund të ankohen lirisht për baltën e “Elbasan Arenas”, që të paktën në rastin e Tedi Carës, topi duhej të kishte përfunduar në rrjetë. Po ashtu siç u ankuan edhe në ndeshjen e parë mes këtyre ekipeve se humbja erdhi nga shkaku se në Shkodër kishte shumë tifozë që ishin futur në mënyrë të palejuar.

Pra ndryshon arsyeja, ka gjithmonë një shkak për të shpjeguar se përse Partizani nuk ia doli dot ndaj Vllaznisë. Besimi i shkodranëve nga ana tjetër përligj suksesin e ndeshjes së parë ku u fitua në minutën e 87 me golin e Dilaver apo për daljen nga fusha me barazimin, që duhej me çdo kusht për të mbajtur po në të njëjtën largësi Partizanin. “Nëse jep më të mirën, atëherë Zoti do ju shohë dhe do të japë atë që do ti”. Pra mendimet e të “çmendurit” Egbo rezultojnë kaq shumë të prekshme pavarësisht ndryshimit të sezoneve, thelbi mbetet po prapë i njëjti. Në mënyrë të moderuar thuhet: “Fati është në anën e më të mirit”. Por për të hequr paralelen e plotë mes Tiranës së shkuar dhe Vllaznisë aktuale, janë dy ekipe të njëjta, me të njëjtin zjarr të ndezur, grup të bashkuar, që nuk lënë asnjë ndeshje të vetme për ta nënvlerësuar dhe më e rëndësishmja, që besojnë deri në minutën e fundit. E nëse bashkohen të gjitha këto komponent, fati nuk mund të anojë në tjetër vend.

Plani i Kastriotit rezultoi gjenial, i lë tre ekipe për kampionat më vete

Që në nisje të këtij sezoni të ri Kastrioti erdhi me bujë duke i prishur festën në debutim Ilir Dajës. Krutanët mundën në shifrat 2-1 Partizanin. Kur trajneri Ndreu u pyet mbi arsyen e këtij triumfi, erdhi përgjigja e një plani që shkonte përtej 90 minutave. Tekniku kishte kërkuar nga ekipi që të jepte maksimumin në ndeshjet e para të kampionatit, pra të nisnin makinën e tyre jo luksoze, për ta futur menjëherë në marshin e pestë. Kjo taktikë po rezulton gjeniale pasi Kastrioti ka lënë mbrapa me 8 pikë Apoloninë, ndërsa me 9 pikë mbrapa ndodhet Bylis dhe Skënderbeu. Këto tre skuadra duket se do të bëjnë një kampionat më vete për të luftuar se kush do të jetë ekipi që do të mbërrijë në “Play-Off” e ku për momentin duket se Kastrioti është i shpëtuar. Kjo nisur edhe nga arsyeja se në këtë sezon të kampionatit shqiptar janë deklaruar si kurrë më parë 6 ekipe për titullin kampion. Në një kohë që po vijmë në gjysmën e kampionatit, të gjitha skuadrat e Superiores do të bëjnë gjithçka për të mos humbur pikët e këtyre dhe kjo vetëm sa do të rëndojë gjendjen e Apolonisë, Bylisit dhe Skënderbeut.

Mirel Josa nuk ngatërron pankinën në Korçë, por i heq stolin Ahmatajt

Debutimi i Mirel Josës te Kukësi erdhi në transfertën e Korçës atje ku u fitua në shifrat 0-4. Në ndeshjen e parë dhe përveç fitores së thellë, Josa shkarkon trajnerin Ahmatajn duke marrë “kokën e parë” në Superiore. Sa shumë histori për të treguar 90 e Josës te Kukësi. Pavarësisht ftohtësisë së komunikimit nga ana e këtij trajneri, një ndjenjë aspak e mirë e ka përfshirë teksa pa korçarët në gjendjen e re, ndërsa më herët luftonin me Kukësin për titullin kampion. E megjithatë për të qenë profesionist duhet të kalosh emocionet që të fshihen në njërin krah, e të bësh më të mirën. Për këtë aspekt nuk ka aspak dyshim te Mirel Josa që nuk fali asgjë në Korçë duke i rikthyer besimin e munguar skuadrës. Një fitore në shifrat 0-4 që i bënë verilindorët “të zgjohen” dhe të kuptojnë forcën që kanë në vete. Vështrimi hidhet nga tribuna për të parë Ardjan Takajn pas ndeshjes, por nuk ndodhet më aty. Kjo histori i përket së shkuarës dhe Josa nuk duhet të jap më llogari këtij presidenti. Nga ana tjetër Safet Gjici ngrihet edhe më shpejt për t’u larguar pasi nuk i pëlqen shumë të bëjë lëvdata, por vjen vetëm për të treguar se çfarë nuk shkon. Në këtë moment Josa nxiton për t’i hequr karrigen Ahmataj si një kujtim i marrë nga Korça, nën ngjyrat e Kukësit.

“Hero?”/ Seferi i mori veshjen Muçit, kur do të kthehet tek Tirana?

Taulant Seferi ishte njeriu që i dha fitoren Tiranës në transfertën ndaj Apolonisë. Tre pikët që ishin jetike për bardheblutë që të shuanin disi kritikat e shumta dhe lumin e artikujve që vërshoi pas shkarkimit të Dedes. Nga ana tjetër tifozët bardheblu nuk mund të qëndronin qetë kur shihnin sesi lëngonte klubi i tyre. Në këtë moment shfaqet Seferi për të dërguar topin në rrjetë dhe për t’u përmbyllur versioni më i mirë, që të ketë disi optimizëm tek afrimi më i bujshëm i sulmuesit të Kombëtares. Por në fakt përtej emrit të lojtarit që shënoi golin e fundit, mund të thuhet se Seferi i mori veshjen “e shpëtimtarit” Muçit. Ky i fundit ndërtoi gjithë aksionin personal për t’u futur në brendësi të zonës dhe për të prishur gjithë rreshtimin e mbrojtjes kundërshtare, në mënyrë që Seferi të dilte i lirë. E në pozitën që ndodhej sulmuesi i Kombëtares nuk mund të kishte një tjetër fund përveçse rrjetës. Ndërsa sa i përket performancës së Seferit ka ende shumë punë për të bërë Tirana pasi për momentin është nën nivelin e një lojtari normal. Ndoshta kërkohet ende kohë për t’u ambientuar dhe përshtatur me Superioren, por me rëndësi që të rikujtohet: “Luhet futboll edhe në Shqipëri”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online