E veçantë/ Të gjitha verdiktet që u mësuan nga java e 7 e Superiores: Vllaznia dhe kremtimi i “Shën Bekajt”

Nga Klaudio Ndreca

Ishin…dhe janë! Sekreti i një Vllaznie që po e bën dimrin “të ngrohtë”

Gjithmonë thuhet: “Askush nuk do t’ia di se kush ke qenë, por se kush je”. Për fatin e mirë për gjithë futbollin shqiptar në tërësi dhe shkodranët në veçanti, Vllaznia është kthyer. Dikur një emblemë e madhe e futbollit shqiptar, ndërsa në vitet e fundit duke lënguar dhe duke luftuar me skuadrat që gjendeshin në vendet e fundit të renditjes. Pra qartësisht e kuptueshme se me emblemë dhe fanellë, pa asgjë tjetër, nuk mund të fitosh në fushën e lojës. Menjëherë pas ardhjes së një sigurie financiare në skuadër(Alban Xhaferi), situata ndryshoi si me “shkop magjik”. Një grup i strukturuar pune dhe njëkohësisht pa marrë shumë “yje” të futbollit shqiptar, por duke i premtuar skuadrës se nuk do të mbërrihej në skenat e turpshme që shfaqeshin gjithmonë për pikën ku ishte katandisur Vllaznia pasi nuk merreshin rrogat.

Pra aspak për faj të lojtarëve, ndërsa kjo garanci i jep atyre gjithë qetësinë që të shfaqin më të mirën e tyre në fushën e lojës. Sigurisht që sporti mbetet një pasion që i fal shumë kënaqësi njerëzve, por nga ana tjetër janë edhe shumë familjarë futbollistësh që presin të mbahen me bukë nga rroga e fundit të muajit. Fatmirësisht te Vllaznia ka një tjetër uri në këto kohë, për fitore dhe pse jo…trofe! Askush nuk e ka pranuar dhe askush nuk do ta pranojë këtë objektiv të largët te shkodranët pasi vetëm sa rrit presionin dhe ndikon më keq te ekipi që në vitin e parë pas ndryshimit. Megjithatë duke parë ecurinë dhe gjendjen e skuadrës, vendi i parë mund t’i përkas Vllaznisë deri në fundin e këtij kampionati. Njëherë Dilaver, njëherë Dunga, më pas Marku dhe Imami që kthehet në hero. Pra nuk kemi një yll nga i cili varet fati i kësaj skuadre, por një grup me uri të madhe dhe financa të garantuara, që do të përdorë edhe historinë e madhe si një armë plus, pa harruar ambientin sportdashës shkodran. Tanimë nuk do të thuhet më: “Ishte dikur Vllaznia”, por “Ishin dhe janë…Vllazni”!

“Shën Bekaj” në Laç! Tirana kremton fitoren e parë me Deden, falë “Superman” dhe “Batman”

Nevil Dede ka marrë fitoren e parë në Laç që pas ardhjes së tij tek Tirana. Nga loja që kanë zhvilluar bardheblutë gjatë kësaj kohe sigurisht që tre pikët e para kanë vonuar shumë, e megjithatë ishin të bekuar në këtë transfertë. Tirana kremton fitoren e parë falë “Shën Bekajt”, i cili në minutat e para të ndeshjes e ndaloi Nuabuezen që të gjente golin e parë, teksa gjendej i vetëm përballë tij. E njëjta situatë do të paraqitej edhe më vonë, ku sërish Bekaj arriti që t’i pres penalltinë Nuabuezes. Praktikisht duke “zvogëluar” sulmuesin që është më i miri në Superiore. Menjëherë pas përfundimit të takimit Dede nuk zgjodhi që të ndante komplimente vetëm për portierin, pasi kjo do të thotë se kanë çaluar të gjitha repartet e tjera. “Nuk është se kishin shumë raste te Laçi, vetëm i pari i Nuabuezes që u kapëm në kundërsulm dhe sërish kishim tre mbrojtës, duke përfshirë edhe penalltinë që është edhe çështje e fatit”.

Pa iu futur rasteve totale që ofroi ndeshja, nga Laçi dhe Tirana, vetë Dede e di se futbolli është i tillë dhe të ndëshkon në mënyrë të tillë. Fundja, Murinjo ka shumë vite që fiton duke i falur topin kundërshtarit për 90 minuta dhe duke marrë tre pikët. Laçi i kishte të gjitha mundësitë që të dërgonte rezultatin në 2-0 dhe evitimi i këtyre mundësive nga ana e Bekajt, e vrau në aspektin psikologjik kundërshtarin. E pas ndërhyrjeve të “Superman-it”, vjen një “Batman” që nxjerrë një perlë nga repertori. Një personazh që gjithmonë shfaq muskuj e forcë, por këtë herë dinte të ishte edhe “i bukur”.

Safet Gjici e paralajmëroi, Skënder Gega po kthen Kukësin të frikshëm!

“Priteni Kukësin tani, do të jetë i frikshëm”! Ky ishte paralajmërimi i presidentit të verilindorëve që gjithmonë ngacmohet nga ana e gazetarëve kur nuk ka rezultate, pasi bën investime të mëdha në skuadër. Por me ardhjen e Skënder Gegës në skuadër, askush nuk kishte dyshime mbi vazhdimësinë e Kukësit. Një trajner kampion që vjen te një skuadër që është e destinuar për të dalë kampion. Pasi tekniku shqiptar ka kaluar me sukses COVID-in, po merr gëzimin e dytë që janë fitoret radhazi dhe vazhdimësia e Kukësit. Aventura e Gegës nisi me maloren e Tiranës dhe Partizanit, në një moment që makina ishte duke u riparuar dhe nuk ishte bërë gati për rrugë të vështira. Por pas fitoreve të arritura ndaj Laçit, Vllaznisë, Apolonisë dhe Bylisit, gjithçka duket gati dhe ka pak vende për rregullime të vogla. Ibrahimi është një luks për vetë futbollin shqiptar dhe Eze është aty për të shënuar kur Kukësi ka nevojë. Organika dhe cilësitë janë të mjaftueshme, po aq sa edhe njeriu që i drejton për të marrë titullin kampion në këtë sezon. Megjithatë kjo luftë mund të jetë deri në fund me Vllazninë, ajo që do të vendos janë gabimet dhe detajet e vogla.

Paradoksi/ “Nuk duhet të bëhesh më Papë se vetë Papa”, Teuta e pamposhtur dashurohet me paqen

“Asnjëherë nuk duhet që të bëhesh më Papë se vetë Papa!” Kjo shprehje shkon për Teutën e këtij fillim sezoni që pas ndeshjes me Partizanin ka grumbulluar edhe barazimin e 6 në 7 takimet e luajtura. Ndërkohë ndeshja e vetme që nuk ka përfunduar në paqe ishte pikërisht ajo fitore e marrë kundër Tiranës në shifrat 0-1.

Pavarësisht faktit se durrsakët janë ekipi i vetëm i pamposhtur, nuk mund ta shijojnë shumë këtë fakt edhe për vetë pozicionin ku ndodhen. Në fakt edhe vetë matematika flet se një fitore dhe një humbje ofrojnë më tepër pikë sesa të barazosh në dy takime. Pra rrezikimi për të fituar është i nevojshëm në një ekip që po dashurohet me paqen dhe ku objektivi është lufta për titullin kampion pas përforcimit të skuadrës. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online