Kastrioti ka nisur nga puna për edicionin e ri dhe tekniku Elvis Plori po ndërton me shumë kujdes skuadrën që do të ketë në dispozicion për edicionin e ri. Krutanët kanë zhvilluar disa teste miqësore dhe në këto takime janë provuar lojtarë të ndryshëm, por njëri ka spikatur mbi të tjerët.
Bie në sy edhe për modelin e flokëve, ngjan shumë me Salah dhe tifozët, duke mos i ditur emrin, ia përdorin edhe si nofkë mbiemrin e egjiptianit. Por nuk është vetëm çështje modeli flokësh, pasi bëhet fjalë për një lojtar me cilësi të mira.
Me Laçin ishte një problem, po ashtu edhe ndaj Kukësit, madje me verilindorët fitoi penalltinë e parë. Shpërthyes dhe i shpejtë, sidomos në metrat e para. E ka kaluar testin e parë. Stafi dhe drejtuesit e duan në ekip dhe tani pritet të arrihet marrëveshja. Java e ardhshme do jetë vendimtare.
Por kush është ai që krutanët e thërrasin “Salah”? Quhet Aleksandros Abdel Rahim dhe luan si mesfushor i majtë, të paktën aty u pa të luante në këto dy ndeshje miqësore me Kastriotin. Sudanezi, i cili ka pasaportë greke, ka luajtur në vendin fqinj kryesisht në ligat inferiore. Tani, që është 25 vjeç, kërkon të marrë skenën dhe ajo mund të jetë Superiorja dhe Kastrioti.