E rrallë/ Nga finalja te zgjedhjet, Armand Duka tregon si la pa fjalë Zvicrën që nuk donte Kosovën: Shqipërisë mund t’i largohet gjysma e ekipit…

Një rrëfim i rrallë është dhënë nga Armand Duka në mediat italiane. Kreu aktual i FSHF ka folur në “Sportpress24” mbi zgjedhjet, kërcë.nimet e marra, arritjet e futbollit dhe finalen e Conference League. Por më interesante është tema sesi Duka ka ndihmuar Kosovën të pranohet nga UEFA dhe FIFA. Zvicra ishte asokohe rivali më i madh pasi kishte frikë për ikjen e lojtarëve, por Duka u kujtoi se Shqipérisë mund t’i ikte gjysma e lojtarëve, por nuk mund t’i mohonte kënaqësinë e futbollit Kosovës.

Sulmi i pësuar dhe rivali nuk pranon rezultatin

Ka qenë një periudhë e ndërlikuar dhe e paprecedentë. Eksperienca ime në botën e futbollit është e gjatë por një situatë të tillë nuk e kisha ndeshur asnjëherë më parë. Në periudhën përpara zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, për fat të keq, nuk pata mundësi të dëgjoja asnjë alternativë apo program nga konkurrentët dhe kjo është diçka shqetësuese. Nëse dikush kërkon të mbërrijë një destinacion do duhej sëpaku një projekt alternativ ti prezantohej komunitetit të futbollit në vend. Kjo nuk ndodhi dhe më la një shije shumë të hidhur sepse dua që gjithmonë të flas dhe diskutoj mbi projekte dhe programe e jo për spekulime e akuza boshe që nuk të çojnë askund. Unë shpalosa projektin tim, strategjinë zhvillimore për 4 vitet e ardhshme dhe prita që të kishim një përballje idesh e platformash që do ti shërbente komunitetit të futbollit për të mësuar më shumë mbi projektet e gjithësecilit. Pavarsisht se kjo nuk ndodhi dhe dëgjoja vetëm baltë, kam vendosur të mbaj shënim çdo kritikë, vrejtje apo sugjerim. Jam më shumë se kurrë i fokusuar për të çuar përpara projektet tona të mëdha.

Shpërthimi i shtëpisë para zgjedhjeve?

Padyshim ka qenë një moment shumë i vështirë për mua. Familja ime ka qenë në shtëpi në momentin e shpërthimit dhe për ta ka qenë edhe më e vështirë. Për fat të mirë dëmet kanë qenë vetëm materiale, ndërkohë që sot që flasim nuk ka ende asnjë autor të vënë para drejtësisë për atë sulm. Momenti i parë ishte shokues sigurisht, por pasi mblodha veten vendosa që të mos dorëzohem dhe të vazhdoj përpara me misionin tim. Familja më ka mbështetur shumë në çaste të vështira dhe nëse do të tërhiqesha pas këtij sulmi të rëndë do më dukej sikur po i tradhtoja ato. Ndihem i obliguar ndaj tyre, por edhe karshi familjes së madhe të futbollit, që ka qenë më e bashkuar se kurrë në këto kohë të vështira. Dua t’i falënderoj me këtë rast për të gjithë mbështetjen e madhe që më kanë dhënë, duke më bindur që të mos tërhiqem. Uroj shumë që gjithçka ta kemi lënë pas krahëve dhe të ecim përpara në objektivin tonë për të rritur gjithmonë e më shumë nivelin e futbollit shqiptar.

Numri i mandateve?

Asnjë moment nuk kam numëruar mandatet. Unë numëroj projektet, rezultatet dhe idete për të ardhmen. Nëse disa projekte të mëdha si finalja e UEFA Europa Conference League, ndërtimi i një stadiumi të ri në Kukës apo projekte të tjera të mëdha që kemi lancuar në strategjinë tonë janë në vazhdim e sipër, mendoj se duhet vazhduar. Kur ndjen gjithashtu besimin dhe mbështetjen e komunitetit të futbollit në Shqipëri, mendoj se duhet të vazhdosh të japësh kontributin për zhvillimin e lojës më të dashur për shqiptarët. Kur rezultatet, projektet e idetë shterojnë mendoj se duhet mjaft. Kemi objektiva të mëdhenj për të arritur dhe tërheqja do të ishte një tradhti ndaj të gjithë atyre që më kanë mbështetur e besuar gjatë këtyre viteve në drejtimin e FSHF-së.

Si nisi përfshirja me futbollin?

Në fakt, përfshirja ime konkrete në botën e futbollit nisi në fund të viteve 90-të, kur unë u bëra sponsor i ekipit të qytetit ku jam lindur, Erzenit dhe më pas Teutës së Durrësit, qytetit ku jetoj aktualisht. Të them të drejtën nuk kisha ambicie dhe as e kisha menduar të bëhesha drejtues i një klubi apo Federatës, pasi isha shumë i përkushtuar pas menaxhimit të bizneseve të mia.
Ndodhi që disa miq të mi, drejtues klubesh, më propozuan që të kandidoja për postin e presidentit të Federatës dhe pas një hezitimi të parë, pranova të konkurroj dhe i fitova zgjedhjet.
Me të marrë drejtimin e Federatës së Futbollit angazhimet e mia ndryshuan totalisht, pasi iu përkushtova plotësisht Federatës. Arritëm që brenda disa viteve t’i rikthenim shkëlqimin e duhur institucionit dhe të rivendosnim futbollin shqiptar në shinat e duhura. Federata Shqiptare e Futbollit u kthye në një pikë referimi për nga organizimi dhe arritjet, duke u shndërruar në një lokomotivë të transformimeve në realitetin shqiptar.

Arritjet e futbollit shqiptar?

Nëse do më duhet të flas për arritjet, nuk do të mjaftonte një libër i tërë. Arritja më e madhe ka qenë pjesëmarrja në finalen e EURO 2016. Më është dukur vetja si në ëndërr kur shikoja Kombëtaren shqiptare të luante në fazën finale të një turneu ndërkombëtar mes ekipeve më të mira të Europës. Gjithashtu, ende më duket e pabesueshme kur shoh stadiumin tonë kombëtar “Air Albania”, një impiant modern e që ofron kushte dinjitoze, njësoj si stadiumet më të mira të Europës. Është një realitet që vjen si pasojë e politikave e strategjive të federatës sonë, i projekteve të përbashkëta e të mbështetura nga UEFA e FIFA e një shpërblim për angazhimin dhe profesionalizmin e administratës tonë. Në këto vite kemi ndërtuar 49 fusha futbolli, 81 fusha mini-futbolli, 59 stadiume janë rikonstruktuar dhe në 8 stadiume kemi financuar sistemet e ndriçimit. Në këto vite përfunduam ndërtimin e 3 stadiumeve të reja e po përmbyllim të katërtin. Kemi licencuar 1719 trajnerë dhe 68 trajnere, kemi ndërtuar një strategji të qartë për ekipet kombëtare dhe futbollin e fëmijëve. Tashmë edhe klubet shqiptare përfaqësohen më mirë në arenën ndërkombëtare, pasi është rritur në çdo drejtim niveli i futbollit shqiptar. Gjithashtu, kemi arritur të masivizojmë futbollin e femrave nëpërmjet incentivave dhe mbështetjes në çdo hallkë, duke krijuar edhe kampionatin kombëtar të femrave dhe disa kampionate moshash. Jemi duke zbatuar një projekt shumë ambicioz për futbollin e femrave, që synon të rrisë përfshirjen e vajzave në futboll.

Si u tejkaluan kërcë.nimet në zgjedhje?

Kjo e periudhë e vështirë që kaluam na mësoi të çmojmë dhe vlerësojmë më tepër një nga virtytet më të mëdha të qytetërimit: Solidaritetin njerëzor, dashurinë dhe mbështetjen për njeri-tjetrin. Për të arritur objektivat që i vumë vetes dhe për të ecur në rrugën drejt suksesit, ne u mbështetëm te njëri-tjetri, duke qenë solidarë brenda familjes tonë të madhe të futbollit, e cila na jep forcë dhe mbështetje të gjithëve. Asgjë nuk është e pamundur, në qoftë se jemi të gjithë bashkë. Më vjen në mendje shprehja e presidentit të UEFA-s, Ceferin gjatë vizitës në Tiranë: Futbolli vendos për futbollin. Dhe ne ja dolëm mbanë përballë çdo kërcë.nimi, pasi njerëzit e futbollit vendosën për futbollin në Shqipëri. Kjo periudhë e vështirë tregoi edhe njëherë se kemi ndërtuar një institucion me të vërtet serioz që ja doli të menaxhojë sulmet e pafundme që i ndodhën dhe në të njëjtën kohë të vazhdojë të realizojë me sukses impenjimet e pafundme që ka në përditshmërinë e tij.

Na kujtohet që moto jote ka qenë: “Politika jashtë sportit”. Të gjithë e mbajnë mend sesi në Kongresin avokati i UEFA-s nuk donte që Kosova të dilte veçmas si Federatë, ti reagove dhe votove për të zgjidhur problemin.

E kam thënë edhe atëherë dhe e them sërish, çështja e Kosovës nuk ishte aspak politike. Unë i kam kërkuar UEFA-s dhe anëtarëve të saj, që fëmijëve të Kosovës të mos u mohohet futbolli. Kur përfaqësuesi i Zvicrës po ankohej, pas njohjes së Kosovës se mund ti largoheshin 5 futbollistë mbaj mend të kem thënë: “Shqipërisë mund ti largohet gjysma e skuadrës por kjo nuk do të thotë, që ne duhet ti mohojmë fëmijëve të këtij vendi, të drejtën për të ëndërruar që një ditë do të luajnë me kombëtaren e tyre. Kam bërë gjithçka që Kosova të pranohej në UEFA e FIFA dhe për këtë ndihem krenar. Koha ka treguar se ka qenë një vendim i drejtë dhe në të mirë të futbollit. Sot Kosova është një realitet i bukur në hartën e futbollit europian dhe ne të gjithë duhet ta mbështesim në rrugëtimin e saj për të arritur standartet më të mira europiane dhe botërore. Nëse do ndodhte e kundërta sigurisht që futbolli do të kishte humbur shumë nga vlerat që përmbledh.

­Finalja e Conference League sa i rrezikohet Shqipërisë?

Ne kemi punuar shumë, prej vitesh, për të arritur që kjo finale të zhvillohet në Tiranë. Një staf i dedikuar i FSHF ka punuar për plotësimin e një dokumentacioni sa më të plotë dhe në nivel profesional. Gjithashtu një pjesë e madhe e stafit të FSHF po bashkëpunon ngushtë me organizatorët për të arritur maksimumin, që kjo finale jo vetëm të jetë një perfeksion nga mënyra e organiimit por të japë një imazh sa më të mirë, jo vetëm për Tiranën por për të gjithë Shqipërinë. Besoj shumë se e gjithë kjo punë e deritanishme nuk do të shkojë dëm, duke shpresuar në bashkëpunimin me të gjitha strukturat e shtetit shqiptar për të qenë sa më të vlerësuar si vend dhe si strukturë.

Planet e tua për të këtë mandat?

Ne i kemi shpalosur ato, nëpërmjet strategjisë katërvjeçare “Futbolli për Kombin”, që lançuam përpara disa javësh. Ajo është një punë e mirëfilltë studimore, fryt i hulumtimeve, analizave dhe llogaritjeve të shumta që grupi i punës ka bërë me këtë rast. Nëpërmjet saj, ne jemi të qartë se ku synojmë të arrijmë gjatë kësaj periudhe, duke përcaktuar prioritetet. Dy më kryesoret janë futbolli i femrave dhe ai i fëmijëve. Duhet të bëjmë hapa të tjerë cilësorë në zhvillimin e tyre. Sigurisht, pa hequr dorë nga përmirësimi i infrastrukturës, për të krijuar kushte sa më të mira për stërvitjen e brezit të të ardhmes. Po kështu e qartë është strategjia edhe për ekipet kombëtare apo për punën që bëhet në lidhje me edukimit jo vetëm të kuadrit trajner nëpërmjet kurseve por duke vazhduar edhe me profesione të tjera si mjeku sportiv, fizioterapistët, përgatitësit atletikë e deri tek videoanalistët. Pa hequr dorë edhe nga përgjegjësitë sociale dhe ndihma për shtresa të caktuara. Ne besojmë se jemi një forcë e madhe shtytëse për shoqërinë shqiptare dhe puna jonë do të ketë impakt në të gjithë trupin futbollistik e jo vetëm shqiptar. Jam besimplotë se me punë, siç kemi treguar në të shkuarën, do ti arrijmë të gjitha dhe futbolli shqiptar do të vazhdojë rrugëtimin e tij rritës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online