Nga Klaudio Ndreca
Ballistët e Tetovës janë një nga tifozeritë që dinë gjithmonë sesi t’i vendosin “flakën” stadiumit dhe të jenë lojtari i 12 për Shkëndijën ose Kombëtaren Shqiptare. Por këtë herë tifozët e ekipit të Tetovës kanë bërë një veprim të rrallë.
Në Maqedoninë e Veriut nuk lejohen tifozët për shkakun e COVID 19. Megjithatë Shkëndija e Tetovës festonte sot titullin kampion dhe papritur janë shfaqur tifozët në shkallët e stadiumit kur ndeshja me Shkupin po shkonte drejt fundit.
Ballistët kanë nisur që të kërcejnë dhe pushtojnë ambientin sportiv me këngët e tyre, duke ndezur flakadanët. Sigurisht, ky emocion u kishte munguar shumë. Por nga ana tjetër ndeshja do të ndërpritej nga delegatët e ndeshjes pasi nuk lejohen tifozët në shkallët e stadiumit.
Pas thuajse 10 minutash diskutime mes lojtarëve të Shkëndijës dhe tifozëve, këta të fundit janë treguar të mirëkuptuar duke dalë sërish që ndeshja të mbyllej normalisht dhe festa të vijojë në rrugët e qytetit. /Sport Ekspres/