Diçka e rrallë është ajo që i ndodh Adama Traores. Futbollisti i Ulverhempton ndodhet në një udhëkryq, ku duhet të zgjidhë një dilemë të madhe. Sulmuesi i skuadrës angleze është grumbulluar nga 2 Kombëtare në të njëjtën kohë. Nga njëra anë është Spanja, vend në të cilin ka lindur, ndërsa në krahun tjetër qendron Mali, vendlindja e prindërve të tij.
Të dyja përfaqësueset kanë shpallur listën e lojtarëve që duan në dispozicion të trajnerëve për ndeshjet e këtij muaji. Traore është thërritur edhe më parë me Spanjën, por nuk ka debutuar në fushë me fanellën tyre për shkak se rezultoi pozitiv me Covid-19. Një gjë e tillë po përpiqet të shfrytëzohet nga Kombëtarja afrikane, që ende ka mundësinë të marrë një nga futbollistët më të përfolur të Premier League. Trajneri i andaluzianëve bëri me dije se dëshira e Adama Traoresë është të luajë për Spanjën, megjithëse mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë 24-vjeçari./Halit Delibashi-Sport Ekspres/