Safet Gjici ka dhënë një intervistë për “Sport Neës” ku ka komentuar punimet në stadiumin e ri dhe njëkohësisht punën e Longos. Presidenti i nderit i verilindorëve e cilëson Kukësin si skuadra që po bën futbollin më të bukur në Superiore. Ndërkohë më e mira do të vijë me stadiumin pasi skuadra do të luajë në shtëpi, ndërsa Gjici kthen kokën mbrapa në kohën kur dolën kampion.
“Ecuria jonë ka qenë e mirë, por jemi ende herët për të thënë se jemi ku duhet. Kukësi po vjen në rritje, Longo po bën futboll sulmues dhe që nuk e kemi pasur kurrë më parë. Duhet të mos përsëriten ato gabimet tona ku kemi lënë pikët pasi kampionati vendoset në këtë mënyrë. Shumë shpejt do të kthehemi në fushën tonë.
Për një muaj do kthehemi në fushën tonë, me një stadium modern që askush nga kuksianët nuk e imagjinonte dot që një stadium i tillë do të vinte në Kukës. Ne kemi qenë shumë të fortë në fushën tonë, madje kur fituam kampionatin nuk kishim asnjë humbje.
Kukësi bën lojën më të bukur në Shqipëri, shkojmë shumë herë te porta. Nuk kemi një sulmues rrace si Pejic dhe po të gjejmë bomberin tonë, atëherë do të jetë më e lehtë. Po të ktheheshin në gola të gjitha këto raste, atëherë imagjinoni sa gola do të shënonim”, ka thënë Gjici. /Sport Ekspres/