Futbolli shqiptar ka aq shumë absurditete, sa tashmë nuk të habit asgjë. Megjithatë, lajmi i publikuar sot nga Supersport është vërtet për të hapur sytë: Kukësi paguan 4 milionë lek në muaj për të luajtur në “Zeqir Ymeri”!
Nëse lajmi është i vërtetë, atëherë Safet Gjici bën një gabim të madh që luan atje. Me 4 milionë lek, më mirë të shkojë në Elbasan apo Durrës, të paktën skuadra do luajë në bar normal dhe nuk do përplaset për betoni sapo del jashtë fushës së gjelbër.
Stadiumi i Kukësit i përket klubit të futbollit Kukës, ndaj është çmenduri që të merren para nga klubi. Verilindorët janë një nga rastet unikale që si skuadra kampione nuk kanë shtëpi dhe as fushë stërvitore. Klubi funksionon si shoqëri aksionere ku pjesë e saj është edhe Bashkia e qytetit. Megjithatë, bashkia jo vetëm që nuk kontribuon në financa për shumën që i takon, por detyron skuadrën të luajë në Zeqir Ymeri kundrejt pagesës.
Ky është futbolli shqiptar: klub kampion, me stadium plot probleme, ku i duhet të paguajë edhe qira, ndërsa nuk ka as kompleks stërvitor. Më mirë quajeni: Kukësi i Tiranës!