Pritet të ketë shumë surpriza te kavajasit. Si për administrimin e klubit që thuhet se do të ndryshojë “duar”, trajnerin e ri e po kështu me organikën e re të futbollistëve
Fatmir Efica
Vonë nuk është. Por gjithsesi edhe disa ditë për t’u menduar e mbledhur forcat bëjnë mirë. Shtyrja e stërvitjeve të ekipit të Besës për javën e ardhshme, tashmë mund të konsiderohet fakt, ndonëse i padeklaruar prej drejtuesve. Në fakt, në ekipin me shumë tradita të Besës zërat që qarkullojnë para startit të këtij sezoni janë se do të ketë ndryshime rrënjësore në shumë komponentë që mundet ndoshta të sjellin pikërisht atë që ka munguar. Frymën e kolektivitetit për të ndërtuar një klub dhe skuadër me standarte dhe pretendime më të mëdha se sa në tre sezonet e fundit.
PRESIDENTI – Ka ditë që përflitet për një rikthim të mundshëm në krye të ekipit të Besës të z. Nexhat Bizhdili. Pavarësisht shkëputjes së tij në tre vitet e fundit, presidenti, një figurë e dashur e shumë karizmatike, më letra ka qenë pikërisht ai në krye të punëve. Rikthimi i tij do të “ndizte” mjaft atmosferën, pasi në vitet 2001-2013 që Xhati (kështu e njohin dhe thërrasin të gjithë) që ka qenë në krye të Besës si president, Kavaja futbolldashëse, nuk do të harrojë kurrë se bëri realitet fitimin e jo një, por, tre trofeve madhorë që e kanë bërë Besën të zërë vendin e saj në “Librin e Artë”. Bëhet fjalë për fitimin e dy kupave të Shqipërisë më 2007 e 2010 dhe të Superkupës po më 2010. Në të tillë situatë, një fjalë mund të shkojë më përshtat se çdo gjë tjetër: “Mirëse jen presidenti Bizhdili”, pasi në kohët e arta të Besës, Xhatit, i patën shkruar bukur dhe tifozët kavajas: “O Xhat, o Berluskon, Kavaja veç me ty fiton”.
TRAINERI – Nga mesi i muajit maj deri në mesin e muajit korrik, specialisti i mirënjohur Ilir Duro ishte komanduar në krye të Besës nga Bashkia e Kavajës që ke qenë administratorja e vetme e ekipit në tre vitet e fundit. Me ndryshimet e reja që pritet të ndodhin, Duro që meriton falënderime të veçanta për punën e tij edhe në periudhat e mëparshme që ka qenë në drejtim të Besës, ka preferuar të rikthehet në krye të stolit të skuadrës U-17, ku gëzon një eksperiencë të madhe në përgatitjen dhe afirmimin e talenteve të rinj. Në ditët e para të startit stërvitor, Besa do të zgjedhë edhe trajnerin e saj të ri, Mes treshes kavajase të kandidatëve Bledar Sinella, Bekim Kuli e Dorian Bubeqi, janë dhe dy të tjerë që po qarkullojnë në opinion. Konkretisht Artion Poçi dhe Juljan Ahmataj. Ky i fundit drejtoi Besën në 22 javë të sezonit të fundit ekipin kavajas.
ORGANIKA – Duken mbase më prioritare për momentin përcaktimi i “kokës” së drejtuesve të rinj të Besës. Por ky proces natyrisht kërkon mbajtjen totalisht në vëmendje të formatimit të organikës së re të ekipit kavajas me futbollistë që janë jo vetëm nga “tabani” origjinal i fidanishtes me shumë talente që ka Kavaja, por edhe me disa lojtarë të tjerë ndoshta. Dy prej tyre janë që tani pjesë e grupit. Bëhet fjalë për Isak Kamara nga Guinea që sakrifikoi dhe pushimet e tij verore për të mos u shkëputur nga Besa dhe mbrojtësin e majtë durrsak Donald Bejko që ka pasur edhe dy eksperienca të shkurtra më parë te Besa.