Kur flasim për legjendat, nuk mund të lëmë pas figurën madhështore të trajnerit italian Carlo Ancelotti, i cili ka stërvitur ekipe klasi si Roma, Milan, Real Madrid, Chelsea, PSG ku dhe ka fituar trofe të rëndësishëm nëarenën europiane. Megjithatë përvec inteligjencës dhe aftësive trajnuese të padiskutueshme, duket se idetë e tij për futbollin ndryshuan falë një legjende tjetër, kampionit Zinedin Zidane.
Ancelotti ishte në krye të Juventusit nga 1999 deri në 2001, por nuk ishte në gjendje të fitonte trofe të rëndësishëm pervec Kupës Intertoto pavarësisht se kishte një skuadër të talentuar që përfshinte Zidane, Alessandro Del Piero, Edgar Davids dhe Filippo Inzaghi. Sidoqoftë, koha e tij me fituesin e Topit të Artë të vitit 1998, ndihmoi në formimin e stilit të tij të stërvitjes për pjesën e mbetur të një karriere jashtëzakonisht të suksesshme.
“Në vitin e parë unë luaja me skemën 3-4-1-2 duke patur Del Piero dhe Inzaghi sulmues dhe pas tyre vendosja Zidane. Vitin tjetër, luajta me 4 mbrojtësa dhe për të patur një pozicion sa më të mirë për Zinedin Zidane kalova në skemën 4-3-1-2. e cila rezultoi në një skemë të shkëlqyer. Skema 4-4-2 mbeti skema ime e preferuar që më vonë e përdora edhe me ekipin e Milanit.”- tha Ancelotti. /Sport Ekspres/