Përse iku Arbi Laçi? Kjo ishte pyetja që shtruan tifozët bardheblu kur mbërriti papritur edhe zyrtarizimi i dorëheqjes së drejtorit sportiv. Një punë fantastike kishte bërë te Tirana që u shpall kampione dhe po korrte suksese në Europë, shumë talente të rinjë që po nxirreshin nga kryeqytetasit dhe për më tepër, një “bardheblu i përbetuar”. Gjithmonë kishim dëgjuar nga Arbi edhe në kohët e fundit që të fliste për plane afatgjata te Tirana, ndërsa largimi ishte si një “rrufe në qiell të hapur”.
Por përse puna ka shkuar deri në këtë pikë? Më në fund është vetë protagonisti kryesor që flet në emisionin “Pressing” që transmetohet në “ABC Neës”, duke treguar se te Tirana po krijoheshin dy drejtori paralele dhe ky ishte një sinjal se ishte momenti për t’u tërhequr.
“U krijuan dy drejtori paralele për të njëjtin qëllim, e tha dhe presidenti pak më parë. Pranova që të vija këtu pasi të fliste presidenti. Dy drejtori paralele, për të njëjtin funksion në klub, nuk ndodh askund në botë. Nuk e bëra për asnjë moment, nuk kisha frikë të përballesha. Çdo përballje brenda familjes, i bën dëm familjes. Mund të jem i gabuar. Nëse do të vinte Igli Tare, do ta lëshoja vendin vetë.
Në këtë fushë, është njeriu më i suksesshëm shqiptar. Nuk kam asnjë kompleks ndaj askujt. Nuk paragjykoj dhe nuk kam komplekse, por të bashkëpunosh me dikë që ka eksperiencë më të madhe, është standard të cilin unë e kam. Kjo është historia e përmbledhur e largimit tim nga Tirana. Me respekt, zgjodha që të largohesha pa asnjë polemikë. Kjo është dalja ime e parë dhe e fundit për këtë temë”, u shpreh Laçi. /Sport Ekspres/