Dikur si futbollist dhe më pas i renditur mes tifozëve më të çmendur të Tiranës. Alban Rexha është rikthyer që të komentojë bardheblutë duke u ndalur te fitorja e arritur në sezonin e shkuar kundër Partizanit në shifrat 5-1. Në intervistën e dhënë në “Instagram” me Kozak Braci, Rexha është shprehur se fitoren e thellë e ka parashikuar edhe në “Top Channel” përpara nisjes së takimit. Madje organizatorët e “Shqipëria LIVE” do ta merrnin në telefon teksa ishin habitur sesi parashikimi doli i saktë.
“Dikur kur luaja futboll, isha në moshën 22-vjeç. Një tifoz po shante nga tribuna, po shante keq fare. E pashë dhe e dija se kush ishte. Pastaj e lidha. Ndeshja që nuk harroj është fitorja 5-1 kundër Partizanit, ishte super ndeshje. Kanë dhënë gjakun dhe shpirtin në fushë. Tre ditë para kemi takuar edhe lojtarët. Në fakt unë kam qenë në studio tre orë përpara dhe përcaktova rezultatin.
Thashë që do rriheni thellë dhe do jetë “vdeka e përjetshme” e juaja. Asnjë nuk e besonte në studio dhe pas ndeshjes më morën në telefon ata të Shqipëria Live që isha i ftuar dhe më thanë: “Si ka mundësi që e gjete?”. Partizani nuk është ekip i Tiranës. Derbi i Shqipërisë nuk quhet Partizani-Tirana, por Shkodra-Tirana. Ky është derbi i Shqipërisë”, tha Rexha. /Sport Ekspres/