Edhe pse pritej prej kohësh vetëm sot pasdite ka ardhur zyrtarizimi i largimit të Valon Ahmedit nga skuadra e Mariborit. Mesfushori, i cili në të shkuarën ka qenë edhe pjesë Kombëtares shqiptare nuk do të jetë më pjesë e nënkampionëve të Sllovenisë. 23-vjeçari do të nisë një aventurë të re në Irazel, ku siç mësohet do të luajë për ngjyrat e skuadrës së Hapoel Kiryat Shmona.
Për Ahmedin ka pasur interesim konkret nga skuadra e Partizanit dhe Flamurtarit, diçka që e ka konfirmuar dhe vetë lojtari, por ssiç duket nuk e ka bindur një eksperiencë në vendin tonë. Me Mariborin mesfushori arriti që të luante dhe në grupet e Championsit, por tani duket se nuk ndihej mirë më në skuadrën sllovene dhe vetë ai ka kërkuar largimin.
Zlatko Zahoviç, drejtori sportiv i Mariborit e ka falënderuar lojtarin kuqezi, duke i uruar shumë suksese në aventurën e tij, si dhe duke deklaruar se ai do ta ketë gjithnjë një derë të hapur: “Ahmedi ka qenë një lojtar i rëndësishëm për ne na ka ndihmuar që ne të arrinim në grupet e Championsit, por më pas gjërat nuk shkuan siç duhet, ai kërkoi të largohej dhe ne e falënderojmë për atë që ka dhënë për skuadrën tonë dhe i urojmë shumë fat. Ai do ta ketë gjithnjë derën e hapur”.