Pas Roshit, Balajt e Bernard Berishës, edhe një shqiptar shkon në kampionatin rus dhe sërish nëpërmjet Skënderbeut.
Bëhet fjalë për Enis Gavazajn, i cili është tashmë me valixhet gati dhe pret të niset për në Rusi.
Që paraditen e sotme u zbulua emri i klubit që e kërkon, Jenisej, klub i sapongjitur në Premier Ligën ruse, por tashmë nga Korça konfirmohet jo vetëm klubi, por edhe që Gavazaj do të fluturojë drejt Rusisë në orët e ardhshme.
Mesfushori i kombëtares sonë nuk ka qenë në seancat e fundit stërvitore dhe mësohet se është në Tiranë, duke kryer procedurat e fundit para nisjes për në Rusi.
Skënderbeu pret një shifër të rëndësishme, mbi gjysmë milioni euro për talentin e vet, që tashmë kërkon të provojë sërish veten jashtë vendit, pasi në Belgjikë dëmtimet nuk e lejuan të shprehej në maksimum.
Pas Gavazajt në Korçë do të përqendrohen te përforcimi i skuadrës, por nuk përjashtohen shitje të tjera lojtarësh.