“Çështja” Alla mbaron me fund të lumtur për ekipin e Kukësit. Mbrojtësi pogradecar duket se i ka dhënë fund aventurës së tij të shkurtër me Larisën dhe tashmë po pret vetëm rikthimin te skuadra e Kukësit. 24-vjeçari ka rënë dakord paraprakisht me klubin kampion të Shqipërisë dhe me presidentin Safet Gjici me kushtet e reja të kontratës.
Alla do të ketë dyfishim të pagës dhe të ardhurat e tij do të jenë 5 mijë euro në muaj. Futbollisti është joshur nga kjo dhe tashmë pritet edhe zyrtarizimi nga klubi verilindor, që do të zyrtarizojë Allën me shumë mundësi brenda 2 apo 3 ditësh. Menjëherë me të mbërritur në klub dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së re me Kukësin do të niset për fazën përgatitore në Ohër me ekipin.
Fitoi Kukësi, apo fitoi Alla, kjo nuk mund të ndahet me thikë. Kukësi pretendonte se e kishte lojtarin nën kontratë dhe e “mbyti” në gjoba, por tani duket se është harruar gjithçka, edhe fakti që Alla iku para kupave të Europës. Nga ana tjetër, vërtet Allës i digjet shansi Greqi, por nëse arin të dyfishojë pagën te Kukësi, nuk ka arsye pse të mos jetë i kënaqur, pasi te verilindorët është pikë kyçe dhe ka kapur edhe kombëtaren, ndërkohë që oferta e Larisës nuk ishte shumë më e lartë se e Kukësit dhe kostoja e jetesës në Shqipëri është më e ulët.