E konfirmuar: Pronari i Leister Sitit mes viktimave të tragjedisë

Pronari i Leister Sitit është një prej pesë personave, të cilët besohet se humbën jetën, pas tragjedisë së helikopterit në rrethinat e stadiumit të skuadrës, “King Pauër Stadium”. Megjithatë, ndryshe nga sa ishte raportuar fillimisht, vajza e tij mendohet se nuk ishte në bord.

Helikopteri me tetë vende, në pronësi të Viçai Srivadhanaprabha u ngrit nga fusha e lojës, vetëm pak çaste përpara se të humbiste kontrollin dhe të shpërthente. Ngritja e mjetit fluturues po transmetohej drejtpërdrejt në televizor, ndërsa vetëm disa momente pasi doli nga stadiumi dhe sapo nisi të merrte kuotë në ajër, ai shpërtheu në flakë.

Burime pranë familjes së ish-pronarit të klubit kampion të Anglisë në vitin 2016, konfirmuan për “BBC” se milioneri nga Tajlanda ishte në bordin e helikopterit në momentin e përplasjes. Vetëm pak kohë më parë, duke cituar një burim, “Reuters”, njoftoi se Viçai Srivadhanaprabha ishte mes pesë personave fatkeqë të aksidentit.

Agjencia e lajmeve shkruante se përveç presidentit të Leisterit, në helikopter ndodhej edhe vajza e tij, dy pilotët dhe një person i pestë, i cili mbetet ende i pakonfirmuar. Megjithatë, së fundmi mediat britanike kanë bërë të ditur se vajza e milionerit nuk ka qenë në bord në momentin e tragjedisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *