Migjen Basha do të provojë një eksperiencë të re dhe tashmë është konfirmuar gjithçka, pasi vetë mesfushori ka folur. Gjithsesi ende nuk është zyrtare dhe gjithçka pritet të sqarohet të dielën, kur edhe 31-vjeçari do të jetë në Selanik për të kryer vizitat mjekësore.
“Kam nënshkruar një parakontratë me Arisin e Selanikut, të rikthyer në divizionin e parë. Unë do të shkoj të dielën për të kryer vizitat mjekësore. Nëse gjithçka është në rregull, atëherë do të bëhet zyrtare Aris ka ambicie dhe mund të mbeshtetet në një tifozeri super. Kam telefonuar disa shokë grekë me të cilët kam luajtur, si dhe lojtarë shqiptarë që luajnë në Greqi. Kam pasur vetëm komente pozitive për këtë klub”, ka deklaruar Basha.
Mesfushori është aktivizuar dy sezonet e fundit tek Bari në Serinë B dhe ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së tij, por së fundmi kishte probleme financiare dhe me përfundimin e kontartës nuk bisedoi për rinovimin.
Karriera e tij është e përqendruar kryesisht në Itali, ku është aktivizuar edhe në Serinë A, ndërkohë që ka luajtur edhe në Zvicër. Greqia do të jetë stacioni i radhës për Bashën, i cili pritet të nënshkruajë për dy sezone dhe të përfitojë në total 600 mijë euro, sikurse bëjnë me dije burime të “Sport Ekspres”.