“E kishim bërë planin me Rei Manajn”! Janë 3 pikë larg Europës, sinqeriteti i trajnerit të Sivaspor: Më parë kam drejtuar vetëm ekipe që të mbijetonin

Sivaspori ka marrë një tjetër fitore të madhe, këtë herë në transfertë ndaj Trabzonsporit në shifrat 0-1. Ishte asisti i bukur i Rei Manajt që vendosi historinë e këtij takimi. Ndërkohë Sivaspor që dikur ishte në luftë për mbijetesë, tani e gjen veten vetëm 3 pikë larg Beshiktashit, vendit që të dërgon në Europë, por me një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Sa shpreson Sivaspori te Europa? Misioni është thuajse i pamundur në dukje dhe këtë e dëshmon kalendari. Në 6 ndeshjet e mbetura në kampion, 2 prej tyre Sivaspori do t’i zhvillojë kundër Galatasarai dhe Fenerbace që po luftojnë me njëra-tjetrën për titullin kampion dhe është e pamundur që këto ekipe të lënë pikë në këtë moment. Këtë e shprehu me sinqeritetin më të madh edhe trajneri i Sivaspor, Bulent Ugyun, që shtoi se ekipet që ka drejtuar më parë kanë luftuar gjithmonë për mbijetesë.

“Trabzonspori është një ekip që sulmon nga qerndra. Ne i mbyllëm mirë hapësirat dhe kishim planin tonë të kundërsulmit që bazohet te Rei Manaj. Sa më shumë pikë të marrim në ndeshjet e fundit, aq më të lumtur do të jemi. Jemi ekipi i dytë me buxhetin më të ulët në Turqi dhe ekipin më të madh në moshë. Duhet të jem pak realist tani, gjatë gjithë jetës time, 8 ekipet që kam drejtuar kanë qenë gjithmonë në luftë për mbijetesë”, tha Ugyun. /Sport Ekspres/