E ardhmja e Ilir Dajës ka ndezur një interes të madh kohët e fundit. Partizani shihet si destinacioni i radhës për trajnerin kryeqytetas, megjithëse nga ky i fundit përgjigja ka qenë e njëjtë: “Jam me Skënderbeun dhe vendos pas përgjigjes së Gjykatës Federale të Zvicrës“. Në konferencën për shtyp përpara takimit të nesërm kundër “Demave të kuq“, Daja përsërit të njëjtën frazë, por duke shtuar se në derën e tij nuk ka trokitur vetëm Partizani, por edhe klube të tjera si nga Superiorja ashtu edhe jashtë saj.
“Jam trajner i Skënderbeut dhe ndihem mirë në Korçë, sepse Korça nën drejtimin tim ka patur rezultate historike. Disa mbase e kanë harruar që është i vetmi ekip që i ka kaluar të katër raundet drejt grupeve dy herë. E ardhmja ime? Nuk ka trokitur Partizani, por dhe klube të tjera brenda dhe nga jashtë. Pres përgjigje nga Gjykata Federale dhe pastaj do të mësojmë se ç’do bëhet me Ilir Dajën dhe Skënderbeun.
Zona europiane? Matematikisht ka ende shpresë. Ajo që duhet të bëjmë është të fitojmë edhe pse kemi një kundërshtar të pozicionuar jo drejt. Meqë nesër është dhe mbyllja e kampionat, do të donim të merrnim fitore për t’ua dhuruar tifozërisë korçare. I kemi ndier dhe gjatë kësaj kohe që nuk kanë qenë në stadium për shkak të pandemisë”, ka deklaruar Ilir Daja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/