Partizani do të luajë mbrëmjen e nesërme një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e tij.”Demat e kuq” do të ndeshen me Astanën, ndaj së cilës humbën ngushtësisht 1-0 në Kazakistan, për një vend në grupet e Ligës së Konferencës. Trajneri i Astanës ka folur sot në konferencën për shtyp, ku është shprehur se ekipi i tij kërkon vetën fitoren, por nga ana tjetër shton se është i përgatitur edhe për kohën shtesë dhe penalltitë.
“Sigurisht që na pret një ndeshje shumë e vështirë. E kuptojmë që kemi një avantazh të lehtë, por në të njëjtën kohë nesër duam të luajmë futboll më të organizuar që në minutat e para, të shtojmë disiplinën dhe agresivitetin. Nëse mendojmë vetëm se si të mbajmë rezultatin e ndeshjes së parë, atëherë asgjë nuk do të funksionojë. Djemtë e dinë këtë dhe ne duhet të dalim me një mendim: rezultati është 0:0, detyra jonë kryesore është të arrijmë fazën e grupeve. Ne kemi folur tashmë për këtë me djemtë, do të përpiqemi të bëjmë gjithçka për të përfunduar këtë detyrë”.
– Jeni gati që ndeshja të shkojë në kohë shtesë apo prisni që gjithçka të përfundojë brenda 90 minutave?
“Jemi gati për çdo skenar, por shpresojmë që të mos arrihet deri aty. Nëse kjo ndodh, sigurisht, ne duhet të jemi të përgatitur”.
– Në ndeshjen me “Kairat” keni luajtur me ekipin e dytë. A ishte planifikuar konkretisht para ndeshjes së dytë?
“Kemi pasur një numër të madh ndeshjesh radhazi, ka pasur një fluturim të gjatë, për këto arsye, ata që nuk morën pjesë në ndeshjen e parë ndaj Partizanit, luajtën në Almaty. Nuk do të them se kjo është skuadra e dytë, thjesht dolën ata që nuk luajtën në ndeshjen e parë. Absolutisht të gjithë djemtë po përgatiten për ndeshjen e nesërme”.
– Do të jetë dështim për ju nëse nuk kaloni Partizanin?
“Sigurisht, ne duam të fitojmë dhe do të bëjmë gjithçka për këtë. Ne nuk mendojmë për humbjen, detyra kryesore për ne është të arrijmë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës”.
— Në ndeshjen e parë ndaj Partizanit, a keni arritur të vini re pikat e dobëta të ekipit kundërshtar?
“Ne e kemi analizuar mirë ndeshjen e parë, i dimë të mirat dhe të këqijat e ekipit. E kuptojmë që me këtë ekip në asnjë rast nuk duhet të relaksohemi, nuk duhet ta nënvlerësojmë. Ekipi ka lojtarë cilësorë, është i organizuar mirë dhe do të them sërish që nesër duhet të luajmë 100 për qind, në mënyrë të ekuilibruar dhe të disiplinuar. Eshte shume e rendesishme”, ka deklaruar Grigoriy Babayan-i./Halit Delibashi-Sport Ekspre