Përballja mes Karabagut dhe Olimpias së Ljubjanës ka përcaktuar edhe fatet e dy lojtarëve shqiptarë, Redon Xhixhës dhe Redi Kasës. Ndeshja e sotme përfundoi në baraspeshë 1-1, ku shënuan Bajramovi nga pika e bardhë e panalltisë në minutën e 24-t për Karabagun dhe Digo Pinto në të 36-n për Olimpian e Ljubjanës. Ky rezultat dërgon azerët në grupet e Europa Ligës, teksa një javë më parë kishin fituar ndeshjen me shifrat 2-0.
Kështu Redon Xhixha, i cili ishte edhe titullar në fushën e lojës mbrëmjen e sotme, do të luajë këtë sezon në grupet e kompeticionit të dytë të UEFA-s për nga rëndësia. Ndërkohë Olimpia e Ljubjanës do të marrë pjesë në grupet e Ligës së Konferencës. Pjesë e klubit slloven është tashmë edhe Redi Kasa, i cili arriti suksesin që nuk mundi ta arrinte dot me Egnatian, pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Konferencës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/