E FUNDIT/ “Ndonjëherë bëhemi mendjemëdhenj, i vetmi problem i Shqipërisë“, Reja sqaron emrat e lënë jashtë: Duam të rinj, disa klube nuk lanë lojtarët

Shqipëria ka nisur grumbullimin për ndeshjen miqësore kundër Katarit. Më 9 nëntor, lojtarët e “Abissnet Superiore“-s do të kenë shansin e dytë për të treguar vlerat e tyre përpara syve të trajnerit Edoardo Reja. Ky i fundit ka shpallur listën me lojtarët që do të ketë në dispozicion për takimin ndaj Katarit, ndërsa sot ka dalë në konferencë për shtyp në ambientet e kompleksit Tropikal në Durrës. Këto janë përgjigjet e Rejës për pyetjet e bëra nga gazetarët e pranishëm.

“Vlerësimi im për kampionatin është shumë pozitiv. Mund të bëjmë një krahasim edhe me Serinë A. Flitet shpesh që niveli i kampionatit italian nuk është në të njëjëtin nivel me të kampionateve të tjera të Europës, si i Anglisë apo i Spanjës. Prandaj Kombëtarja italiane ka probleme kur përballet me ekipe të tjera. E pashë në ndeshjen me Arabinë, fizikisht ishin shumë mirë. Por kishin mangësi nga ana e eksperiencës dhe taktikës. Janë shumë të vlefshme këto teste për të parë se ku jemi, sa kompetitivë jemi dhe për të parë sa të aftë jemi të përballemi me Kombëtarje të tjera më të mira. Duhet të kujdesemi për futbollin e moshave të përgatiten sa më mirë në aspektin taktik.

Lojtarët e mbetur jashtë listës? Janë të gjithë lojtarë që i njohim. Ka lojtarë që mund të ishin, ka që mund të donin të ishin. Kemi bërë një listë që janë të një moshe 23, 24, 25 vjeç. jo më shumë. Kemi bërë këtë zgjedhje. Nuk mund ti marrim të gjithë. Ndoshta në të ardhmen do të ketë mundësi për të tjerë lojtarë. Një problem tjetër është që nuk ishte datë e FIFA-s. Janë rreth 15 lojtarë të tjerë që do të donim ti kishim në listë, por klubet nuk na i dhanë. Kampionati turk është kompetitiv sipas meje, por është duke u luajtur dhe nuk është e lehtë që klubet të lëshojnë lojtarët. Madje ka vështirësi edhe në kampionatin e moshave. Kishte një lojtar nga Leçe (Berisha), që kam folur me drejtorin sportiv, por më thanë që nuk ta japim, sepse është kampionati i të rinjve. Berisha është një lojtar që ka perspektivë.

Pritshmëritë e mia janë që të bëjmë një paraqitje mjaft të mirë. Ekipi është rritur dhe kemi arritur një nivel shumë të mirë. Nëse ne arrijmë të bëjmë atë që kemi thënë vazhdimisht, të përmirësojmë defektet tona, mund të parakalojmë Çekinë dhe të dalim të dytët. Për mua nuk ka ndeshje miqësore. Edhe kjo me Katarin, nuk do të shkojmë për të bërë një shëtitje. Ndaj Italisë është një ndeshje stimujsh. Ne duhet të tregojmë vlerat tona. I vetmi problem që kam parë te Kombëtarja shqiptare është mentaliteti, ndonjëherë bëhemi mendjemëdhenj me veprimet në fushë. Këtu duhet të rregullohemi“, ka dekaruar Edi Reja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *