Mbrëmjen e nesërme “Elbasan Arena” do të çelë dyert për duelin Partizani-Astana. Pikërisht në këtë sfidë do të përcaktohet edhe ekipi që do të sigurojë biletën për në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës. Në prag të kësaj ndeshjeje ka folur edhe mbrojtësi i kampionëve të Kazakistanit, Aleksa Amanoviçi. Ky i fundit është shprehur për mediat se ekipi e di se çfarë duhet bërë nesër për t’u kualifikuar.
“Hyrja në fazën e grupeve të garave europiane është një detyrë serioze si për çdo ekip ashtu edhe për ne. Si gjithmonë do të përgatitemi sa më shumë për ndeshjen e nesërme. Tashmë kemi luajtur ndeshjen e parë, e dimë se çfarë duhet bërë dhe sot do ta analizojmë më tej kundërshtarin. Le të përgatitemi siç duhet, ka mbetur edhe një ndeshje përpara dhe duhet të lëmë të gjitha forcat në fushë. Nesër do të jetë një lojë krejtësisht tjetër, ne po përgatitemi për të”, ka thënë Aleksa Amanoviçi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/