E çuditshme/ Silvinjo nuk kërkon 26 lojtarë për në Europianin e Gjermanisë, mbron skemën me 23 lojtarë në UEFA

Trajnerët e të gjithë Kombëtareve që janë në Euro24 do të takohen sot në Dyseldorf për seminarin e UEFA-s. Tema kryesore do të jetë zgjerimi i listës së Europianit.

Aktualisht lista është me 23 lojtarë, por shumica e trajnerëve kërkojnë që të shkohet me 26 lojtarë. Vendimi merret sot, por është vërtet e çuditshme ajo që vjen nga Italia.

Sipas Corriere dello Sport, Silvinjo mbron skemën me 23 lojtarë dhe nuk preferon atë me 26 lojtarë. Kjo tregon se trajneri i Shqipërisë i ka të qartë të gjithë lojtarët që shkojnë në Gjermani dhe nuk dëshiron që rivalët e tij si Italia, Spanja dhe Kroacia të kenë hapësirë më shumë për të thirrur lojtarë të tjerë.

Ky është shpjegimi i vetëm logjik pavarësisht habisë pasi dukej sikur skema me 26 lojtarë do t’i sillte qetësi Silvinjos për shkak të konkurrencës së madhe në sulm, por tekniku dëshiron të kundërtën. /Sport Ekspres/