E bujshme/ Trajneri i Fulham tregon arsyen se pse ka përjashtuar Armando Brojën: Përse nuk flisni për Issa Diop apo se nuk është lojtar i Chelsea?

Armando Broja po has shumë vështirësi te Fulham dhe gjithçka po shkon jashtë planit të sulmuesit shqiptar. Jo vetëm që ky futbollist nuk po luan me skuadrën angleze, por në dy ndeshjet e fundit nuk ka qenë as në stol te Fulham. Për herë të parë, trajneri Silva ka folur mbi Brojën dhe situatën e tij, duke theksuar se e admiron lojtarin e Shqipërisë për shkak të cilësive të tij dhe që e ka kërkuar në ekip edhe gjashtë muaj më parë.

“Ka qenë e vështirë për të dhe ka qenë e vështirë edhe për mua. Unë jam përgjegjësi kryesor që Broja është në këtë klub. Unë u përpoqa shumë që Broja të ishte këtu. Më duhet të them se verën e kaluar u përpoqa ta nënshkruaj me të kur e shitëm Mitrovicin. Broja është një lojtar që e vlerësoj shumë. Ai ka të gjitha aftësitë për të luajtur në nivelin më të lartë të futbollit.

Ndeshjet e fundit i kemi pasur të gjithë në dispozicion. Issa Diop, për shembull, ka qenë një lojtar titullar kaq shumë herë këtë sezon dhe tre ndeshjet e fundit ishte gjithashtu jashtë listës së skuadrës. Askush nuk flet për këtë sepse ai nuk është lojtar i Chelseat. Ka qenë më e vështirë për Armandon, me gjithë ambicien e tij për të luajtur. Kur shkoni për huazim në ditët e fundit të merkatos, prisni që lojtari të hidhet në fushë dhe të ketë ndikim. Por kur ke një sulmues që shënon gola siç ka shënuar ai [Muniz], kjo nuk i jep asnjë shans të tjerëve. Është konkurrencë mes të treve, Muniz, Raul dhe Brojës. Unë e filloj me një sulmues dhe një tjetër e mbaj në stol. Në futboll ndodh gjithçka kaq shpejt”, tha Silva.

Trajneri i Fulham la të nënkuptuar qartësisht faktin se Broja po qëndron në stol dhe jashtë ekipit pasi është një futbollist në huazim. Pavarësisht se trajneri i Fulham e ka nënvlerësuar dhe ka bërë gjithçka kundër aktivizimit të këtij lojtari, Silva shpreh dëshirën për të blerë kartonin e lojtarit shqiptar që vërteton se nëse Broja do të ishte lojtar i Fulham dhe jo i huazuar nga Chelsea, do të kishte një tjetër sjellje karshi tij. “A do ta blejmë Brojën? Nuk dua të flas për të ardhmen e Armandos. Nuk është lojtari ynë dhe nuk varet vetëm nga ne për të nënshkruar me të”, tha Silva. /Sport Ekspres/