Mbape dhe Nejmari ishin një dyshe që përpos kimisë në fushën e lojës, kishin një raport të fortë shoqëror edhe jashtë saj. Por duket se situata ka ndryshuar tërësisht në kampin e PSG-së. Shoqëria e ngushtë ka marrë fund dhe në kryeqytetin francez kanë nisur polemikat. Paga e lartë e Nejmarit është bërë problem për klubin e PSG-së, që nuk do e pengonte një largim të tijin në merkato.
Nga ana tjetër Mbape ka rinovuar deri në vitin 2025 me parisienët, të cilët i kanë dhënë çelësat e klubit në dorë. “L‘Equipe“ raporton se tashmë sulmuesi francez tallet me Nejmarin pas shpinës së tij për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet braziliani te PSG-ja. “Tani kanë shumë pak gjëra të përbashkëta dhe kampioni i botës nuk heziton që, në privatësi, të tallet me Nejmarin“, shkruan prestigjozja “L‘Equipe“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/