Pavarësisht se janë rritur fitimet në futboll, ka përsëri shumë klube që vuajnë dhe hasin vështirësi ekonomike. Kësaj radhe i ka ndodhur Boltonit, ekipit anglez që garon në Championship. Klubi po kalon një sezon tepër të vështirë dhe ditët e fundit ka mbyllur dhe qendrën stërvitore.
Lojtarët dhe stafi teknik janë njoftuar për mungesën e stërvitjes, ndërsa ka mbaruar dhe ushqimi e pijet, siç raporton “Daily Telegraph”. Ken Anderson, presidenti i klubit, ka nisur punën për gjetjen e një blerësi, i cili do i siguronte garanci financiare Boltonit.
Ekipi renditet në vendin e parafundit në renditje dhe është 7 pikë larg shpëtimit. Kaosi ka përfshirë ekipin dhe lojtarët janë suprizuar kur kanë marrë vesh lajmin e pezullimit të stërvitjes. Ata nuk kanë marrë rrogën e fundit, ndërsa nuk kanë munguar vonesat në rrogat e mëparshme.
Situatë e çuditshme, duke marrë parasysh faktin që fitimit e klubeve të divizionit të dytë të futbollit anglez ia kalojnë dhe kampionateve elitarë të disa vendeve të rëndësishme. Gjykata do të shqyrtojë me datë 20 mars kërkesën e autoriteteve tatimore britanike për të vënë klubin në sekuestro.