E bujshme, FIFA bllokon merkaton e Juves?

Sipas ESPN, bardhezinjtë mund ta pësojnë pasi Mançester Junajtidi doli i pafajshëm në hetimin e bërë më parë. Tashnë, nën lente përfundon Juve dhe Raiola, për transferimin e Pogbasë dhe komisionet

“Është hapur një procedurë disiplinore kundër Juventusit për transferimin e Pogbasë te Mançester Junajtidi”. Lajmi i bujshëm vjen nga zëdhënësi i FIFA-s, që ka folur për ESPN në mënyrë private. Sipas kanalit amerikan, pasi Junajtidi është shpallur i pafajshëm, radha tani është për të gjykuar bardhezinjtë, por edhe agjentin e fuqishëm Mino Raiola, që ka kryer transferimin rekord në Premier League të lojtarit të Francës. Nën lenten e hetimit nga FIFA është “Zonja”, duke qenë se ka shkelur rregulloren, pasi kartoni i një lojtari s’mund të jetë ndarë në tre palë, pra një ta ketë Juventusi, një Junajtidi dhe një vetë menaxheri, pasi sipas lajmeve, mund të ketë fituar 49 milionë euro. Por, çfarë rrezikon Juventusi me këtë? Një gjobë të majme, por edhe bllokimin e merkatos. Juventusi do të vlerësojë rastin në fjalë dhe më pas do të veprojë.

De Shiljo – Në shtëpinë e Juves ditët e fundit janë të karakterizuara nga të reja të shumta, sidomos përsa i përket mbrojtësve të krahut. Dani Alvesh po flet për zgjidhjen e kontratës, Lihtshtajner mund të ikte, Spinacola do të qëndrojë te Atalanta edhe një tjetër sezon, ja pse Marota dhe Paratiçi kanë vendosur që të shtrëngohen për Matia de Shiljon.  Por, blloku i merkatos në horizont mund të deytrojë bardhezinjtë që të mbyllin sa më shpejt, para se të jetë vonë.

Lojtari i Milanit, të dielën në mbrëmje është rikthyer nga pushimet në SHBA dhe gjatë kësaj jave do të takohet me agjentin e tij, Xhovani Brankini për të vendosur për të ardhmen. Masimiljano Alegri ka kërkuar De Shiljon me kokë, teksa e njeh atë që në kohët kur stërviste kuqezinjtë. Ditët e ardhshme agjenti i De Shiljos do të takohet me drejtuesit e Juves për të sigluar një akord që me fjalë është gjetur prej kohësh. Aventura e De Shiljos te Milani tashmë duket se ka përfunduar dhe skadenca e kontratës së tij, në 2018-n mund të bëjë që ai të shkojë më herët te Juventusi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *