Fitore nga të gjitha krahët! Shqipëria A ia doli në transfertë me Hungarinë, Shqipëria U-21 mundi Andorrën dhe Slloveninë, ndërsa Shqipëria U-19 fitoi dy herë me Malin e Zi. Nisur nga këto rezultate, presidenti i FSHF, Armand Duka ka reaguar duke duartrokitur suksesin dhe duke shijuar frytet e punës.
“Të dashur miq! Sot shijuam një tjetër ditë e shkëlqyer për futbollin shqiptar. Ekipi U-21 arriti një fitore të rëndësishme ndaj Sllovenisë, me një paraqitje bindëse, duke konfirmuar cilësitë dhe vlerat që ka në përbërje. Brenda 3 ditësh na dhuruan dy fitore me 4 gola të shënuar dhe zero të pësuar. Kjo është ajo që ne kërkojmë nga kjo skuadër dhe kjo është rruga që duhet të ecin. Asgjë nuk është e pamundur.
Ekipi U-19 përsëriti sot pasdite veten ndaj Malit të Zi, ku në 2 ndeshje të luajtura në Ulqin brenda pak ditësh na dhuroi dy fitore me lojë bindëse. Përgëzime për djemtë e rinj kuqezinj që së shpejti fillojnë rrugëtimin kualifikues ku duhet të na dhurojnë lojra të bukura dhe rezultate pozitive.
Sot Shqipëria e futbollit është një realitet në rritje të vazhdueshme në çdo drejtim, duke konfirmuar punën e mirë që Federata Shqiptare e Futbollit bën. Ne besojmë se me punë mund të shkojmë larg, dhe rezultatet e fundit të skuadrave tona e tregojnë më së miri këtë”, shkruan Duka. /Sport Ekspres/