Nikola Barela është mesfushor dhe njëkohësisht kapiten i Kaljarit në Serinë A. Shihet si një ndër talentet më të mëdha të futbollit italian në mesin e fushës dhe kërkohet nga ekipet më të mëdha në Evropë, duke përmendur Liverpulin apo Juventusin.
Pikërisht të mërkurën kundër Ukrainës, talenti bëri debutimin e tij me kombëtaren italiane dhe e ka quajtur si një ëndërr të kthyer në realitet ndjesinë e të qenurit titullar me fanellën e kaltër. Pas ndeshjes 21-vjeçari është shfaqur mjaft i emocionuar përpara kamerave.
“Ishte diçka emocionuese, një ëndërr e kthyer në realitet. Falënderoj të gjithë shokët e ekipit, të cilët më ndihmuan gjithashtu të zbrisja në fushë tërësisht i lirshëm. Ndihem shumë i lumtur që trajneri është i kënaqur me mua dhe mendoj se po eci mjaft mirë. Hapi i parë për t’u bërë një ekip i shkëlqyeshëm është të bëjmë çfarë në kërkon trajneri”, ka përfunduar mesfushori 21-vjeçar.