Ish-drejtori sportiv i Milanit, Masimiliano Mirabeli ka folur për mediat vendase mbi situatën në shtëpinë kuqezi. Ai është shprehur se Gatuzo do të qëndrojë për shumë kohë në San Siro dhe shpreson që “djalli” të përfundojë e katërta për të siguruar një vend në Champions League sezonin e ardhshëm.
Mirabeli i thuri lëvdata yllit të skuadrës, Susos, i cili është kritikuar kohët e fundit. Zbuloi edhe një të pathënë, ku u shpreh se ka qenë shumë pranë arritjes së marrëveshjes me një nga sulmuesit më të mirë të momentit, Obamejang.
“E njoh mirë Rinon, ai e dashuron këtë punë dhe Milanin. Në mendjen e tij është vetëm arritja e objektivave të këtij sezoni. E shoh për shumë kohë në krye të ekipit kuqezi. Djemtë nën drejtimin e tij po bëjnë mirë dhe duhet ta menaxhojmë pjesën e mbetur të sezonit.”
“Duhet të përqëndrohemi tek objektivi Champions dhe t’i evitojmë polemikat me arbitrimin. Duke administruar aspektin fizike dhe psikologjik të skuadrës, shpresoj ta shoh Milanin në vendin e katërt në mbyllje të sezonit.”
“Suso nuk ka dyshime se është një talent i madh. Ashtu si çdo lojtar nëse nuk është në 100% të gjendjes fizike nuk mund të bëjë mirë në çdo ndeshje. Ne e kemi ndjekur nga afër Obamejang, por nuk arritëm ta merrnim.”