Humbja ndaj Kukësit e ka lënë të pakënaqur trajnerin Klodian Duro, që edhe pse pranon verdiktin e fushës, beson se Kamza meritonte më tepër. Në intervistën e dhënë pas ndeshjes, në programin “Gol pas Goli” në “SuperSport”, Duro u shpreh se loja dhe rezultati mund të kishin qenë të ndryshëm, ndërsa komentoi edhe mungesën e golit të Sebino Plakut.
“Keqardhje për humbjen? Ishte një ndeshje shumë e luftuar, ndërmjet dy ekipeve të barabarta, si në lojë edhe në mënyrën e të luajturit. Futbolli është i tillë. Zhvilluam një ndeshje të mirë, por të mbetet shija e keqe, sepse në momentin e pësimit të golit duhej të luanim 11 me 11 dhe jo 11 kundër 10. Ekipet e kishin vlerësuar drejt takimin. Kukësi e kërkoi fitoren dhe i’a arriti. Nuk më mbetet veçse ti komplimentoj kundërshtarët, pasi ata ishin fitues me meritë. Luajtëm me të njëjtin formacion si ndaj Kastriotit. Gjatë gjithë javës ishim stërvitur në këtë mënyrë loje, e cila mendojmë se ishte e duhura ndaj Kukësit. Humbja na lë të pakënaqur, por nuk mund të bëjmë asgjë tjetër veçse të urojmë kundërshtarët”.
“Plaku larg portës në pozicionin e ri? Sebino e ka treguar veten që ka luajtur shumë mirë si sulmues i parë dhe si sulmues i dytë. Plaku është përgjigjur mirë edhe në pozicionin e ri, ndaj Kastriotit ishte vendimtar në fushë. Por, ndeshjet nuk i ngjajnë njëra tjetrës. Jam i sigurt se do të dalë shumë lirshëm te goli. Meritë kishin edhe kundërshtarët, që kanë një mbrojtje me eksperiencë. Ndihem mirë, sepse futbollistët dhanë gjithçka, provuam me të gjitha mënyrat të riktheheshim në këtë ndeshje”.
“Guxim që Kamza luajti me 5 sulmues? Provuam gjithçka, provuam në fillim me 4-4-2 në romb dhe ekipi e ka marrë shumë mirë këtë fizionomi loje. Kërkoj që lojtarët të dalin lehtësisht te porta, dhe mund ta bënim me pak kujdes, duke evituar pozivionet jashtë loje. Po nuk shënove do ta pësosh. Të vjen keq që golin e pësuam kur Teqja ishte i dëmtuar jashtë fushe. I thashë edhe ekipit në dhomat e zhveshjes, nëse ekipi unë do të humbasë një ndeshje, do ta humbasë vetëm në këtë mënyrë”.