Duro: Greqia vendos shumë për sezonin

Pas dy ditëve pushim të akorduar pas kthimit nga Maqedonia, Flamurtari ka nisur përgatitjet në Vlorë. Bëhet fjalë për një seancë të lehtë, të zhvilluar në ambientet e pallatit të Sportit në Vlorë, ndërsa e njëjta situatë do të jetë edhe gjatë ditës së premte. Ditën e shtunë paradite, skuadra do të udhëtojë drejt Greqisë.

“Bëhet fjalë vetëm për seancë shkrydhëse të skuadrës, pas fazës përgatitore, që kemi zhvilluar në Mavrovë dhe për të mos qëndruar shumë ditë pushim. Derisa të nisemi në Greqi kemi vendosur të kryejmë dy seanca stërvitore në Vlorë”, ka konfirmuar trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro.

“Natyrisht që kemi zgjedhur të zhvillojmë përgatitjet në ambientet e pallatit të Sportit, ashtu si do të veprojmë edhe gjatë ditës së premte. Pastaj ditën e shtunë në mëngjes do të nisemi drejt Greqisë, që siç e dini do të jetë një periudhë shumë e rëndësishme për të vijuar edhe fazën përgatitore dhe skuadra të jetë gati për startin e sezonit në muajin shtator. Stërvitja e zhvilluar gjatë ditës së parë në Vlorë ka qenë më shumë shkrydhëse për lojtarët, pas ngarkesave të marra në Mavrovë dhe natyrisht, që nuk mund t’u jepnim më shumë ngarkesë, pasi me ritme të larta do të punojmë edhe në Veria. Dy ditë në Vlorë janë të mjaftueshme që skuadra të qëndrojë në tonus të përgatitjeve dhe që lojtarët të jenë në fokus të stërvitjes. Të shtunën nisemi drejt Greqisë dhe aty do të zhvillojmë siç dihet një përgatitje, që të konsolidojmë skuadrën e sezonit dhe natyrisht të arrijmë maksimumin nga lojtarët. Kemi edhe një ditë stërvitje në Vlorë dhe më pas gjithçka fokusohet në përgatitjet dhe ndeshjet miqësore në Greqi”, ka konfirmuar trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro. Duket se pallati i Sportit është zgjedhur jo vetëm për një stërvitje të lehtë për lojtarët, por mbi të gjitha edhe për t’i shpëtuar sadopak temperaturave të larta të këtyre ditëve të muajit gusht në Vlorë.

180 minuta stërvitje në dy ditë
Vetëm një seancë stërvitore është menduar për skuadrën gjatë ditës së enjte. Duke parë lodhjen dhe ngarkesat në Maqedoni është menduar vetëm një 90-minutësh, ndërkohë që edhe gjatë ditës së premte skuadra do të zhvillojë sërish vetëm një seancë stërvitore. Mendohet dhe pritet, që stërvitja e së premtes të zhvillohet gjatë paradites, me qëllimin që lojtarët të përgatiten për të udhëtuar një ditë më vonë drejt Greqisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *