Duro: Flamurtari im ia del, pa frikë ndaj Skënderbeut

0

Trajneri i vlonjatëve e thotë hapur se skuadra e tij ka forcën të përballuar Skënderbeun, që deri më tani nuk ka pësuar asnjë humbje në kampionat

Elton Nika

Mes Flamurtarit dhe Skënderbeut gjatë viteve të fundit nuk ka munguar asnjëherë rivaliteti, që mbetet i pranishëm edhe në prag të takimit të sotëm në Vlorë. Nuk kanë munguar as polemikat për shkak të vendimeve të FSHF-së dhe shtyrjes së takimeve, para një ndeshjeje që cilësohet edhe si kryendeshja e kësaj jave në kampionat. Flamurtari dhe Skënderbeu janë dy nga skuadrat që kanë bërë mjaft mirë në fazën e parë të kampionatit dhe në Vlorë pritet me mjaft interes përballja mes tyre. Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, ka vlerësuar kundërshtarin, por ka theksuar se Flamurtari kërkon maksimumin. Nuk ka hezituar të flasë edhe për vendimet e shtyrjeve të ndeshjeve në ditët e fundit dhe polemikat gjatë kësaj periudhe.

Profesor, ndaj Skënderbeut një ndeshje padyshim e rëndësishme. Çfarë mund të na thoni për këtë përballje?

– Mbetet një ndeshje që gjithmonë është e shumëpritur , për shkak se luhet përballë skuadrës më të mirë të viteve të fundit, por e shton këtë interes edhe fakti që Flamurtari ka bërë një paraqitje të mirë gjatë kësaj faze të kampionatit. Do të jetë një takim mjaft rivalizues, interesant dhe padyshim i shumëpritur nga të gjithë.

Skënderbeu është e vetmja skuadër që ia shkaktuar humbje Flamurtarit deri më tani. Ç’do të thotë për ju ky fakt?

– Padyshim që luajmë përballë një skuadre me mjaft cilësi dhe stabilitet gjatë këtyre viteve, por unë jam i bindur se edhe skuadra që unë drejtoj e ka atë cilësi dhe kapacitet ta përballojë Skënderbeun me sukses. Edhe në ndeshjen e parë të luajtur në Korçë, pavarësisht se humbëm, kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. Të mos harrojmë që ishte vetëm takimi i parë i kampionatit dhe gjithçka u vendos nga episode. Tani kanë kaluar dy muaj dhe padyshim Flamurtari është një skuadër që ka fituar siguri, lojtarët janë njohur me njëri-tjetrin më mirë dhe ka të gjithë kapacitetin për të fituar.

Para këtij takimi nuk kanë munguar polemikat për vendimet e FSHF-së në lidhje me përcaktimin e kalendarit të ndeshjeve…

– Dua të theksoj një fakt: Skënderbeu nuk ka asnjë ndikim në shtyrjen e ndeshjes Lushnja-Vllaznia, apo shtyrjen e takimit tonë. Jam profesionist dhe e di fort mirë se Skënderbeu kishte lojtarë në kombëtare, por këtë kalendar duhej ta kishte menduar më mirë Federata. Në fillim vendos për të mërkurën dhe pastaj ndryshon pa asnjë pyetje për ditën e enjte. Skënderbeu këtu nuk ka lidhje, por Federata ndikon te mbarëvajtja e garës. FSHF e kishte parasysh se korçarët kishin lojtarë në kombëtare, ndaj duhej ta kishin parashikuar që në fillim ditën e saktë të takimit.

Flamurtari ka apeluar faktin që po shtyhen ndeshje të kampionatit.

– Sa për shtyrjen e ndeshjes tjetër, kam mendimin se është cenuar gara për shumë skuadra të kampionatit shqiptar. Ashtu si ne, apo edhe Lushnja, që ka zhvilluar ndeshje në fushë asnjanëse, ashtu duhej t’i kishte zhvilluar edhe Vllaznia. Shtyrja me një javë më duket e çuditshme. FSHF është justifikuar me kompromisin e dy skuadrave, që nuk është e vërtetë, pasi Lushnja del me deklaratë ndryshe, se nuk e ka një marrëveshje të tillë, ndërsa FSHF me marrëveshje ndryshe. Atëherë kë duhet të besojmë. Nuk e di çfarë justifikimi do të gjejë FSHF.

Kthehemi tek ndeshja, si është gjendja e skuadrës?

– Gjendja e skuadrës është e mirë, kemi vetëm mungesën e Pollozhanit, që për shkak kartonësh nuk do të luajë. Një mungesë e rëndësishme, duke pasur në konsideratë takimin që do të luajmë. Por kjo është pjesë e garës, kartonët dhe mungesat për këtë shkak janë pjesë e kampionatit. Megjithatë gjendja e lojtarëve dhe e skuadrës është mjaft të mirë.

Fatmirësisht luhet me tifozë…

– Nuk do të doja asnjë ndeshje të kampionatit të luhej pa tifozë. Edhe në Korçë po të zhvillohej ky takim, nuk do të doja asnjëherë mungesën e tifozëve, pasi prish garën dhe bukurinë e saj. Tifozët janë mjaft të rëndësishëm në çdo ndeshje dhe për fat të mirë takimi do të luhet me praninë e tyre, jo ashtu si ndodhi me Kukësin, që ju e patë vetë atmosferën e krijuar.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.