Daja: Kemi mungesa, por nuk ndalemi as në Vlorë

0

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, beson te grupi dhe thotë se objektivi vetëm në transfertën e sotme mbetet fitorja

Leonard Trebicka

Katër mungesat që kemi ndaj Flamurtarit janë të rëndësishme, por do të kërkojmë të gjejmë përgjigjet e duhura edhe nga ata që do të luajnë titullarë në këtë takim. E dinim se do të vinin të tilla situata dhe kemi marrë masat e duhura për të bërë mirë, pavarësisht mungesave. Jo vetëm në Vlorë, por kudo shkojmë vetëm për tri pikë, – ka theksuar mes të tjerash në intervistën një ditë para ndeshjes trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja. Ai ka folur para nisjes drejt Vlorës, ku është i bindur se të tijtë do të dinë ta ruajnë ritmin e fazës së parë. Ja intervista e plotë e trajnerit Daja për Sport Ekspres:
– Daja, Skënderbeu luan nesër (sot) në Vlorë ndërkohë që Flamurtari akuzon FSHF-në se ju ka favorizuar Skënderbeun. Si e gjykoni këtë situatë?
– Shikoni, unë jam i përqendruar vetëm te ndeshja dhe nuk dua të merrem aspak me deklaratat e klubeve. I qëndroj reagimit zyrtar që bëri zyra e shtypit të klubit tim dhe vijoj të mendoj vetëm për lojën në fushë.
– Sa i vështirë është ky takim për ju?
– Të them të drejtën, është një takim delikat, pasi Flamurtari ka bërë një fazë të parë mjaft të mirë. Për më tepër, mund të them se është një fushë e vështirë për të fituar, ngaqë Flamurtari jep gjithmonë më të mirën në fushën e vet. Do të mundohemi të jemi sa më të përqendruar në këtë 90-minutësh dhe për vetë faktin se nuk duam të ulim përqendrimin dhe të ndalojmë paraqitjet pozitive.
– Si vjen Skënderbeu në këtë ndeshje?
– Për hir të së vërtetës, nuk vijmë në momentin më të mirë, pasi kemi mungesa. Duhet të bëjmë në këtë ndeshje pa Lilajn, i cili u kthye i dëmtuar nga Kombëtarja, por janë gjëra që ndodhin kudo. Nuk kemi në dispozicion Jashanicën për shkak dëmtimi, por edhe Nesporin, i cili ndaloi në momentin kur mund të na kishte hyrë shumë në punë edhe të tregonte potencialin e vet. Një mungesë tjetër është ajo e Nimagës, i cili nuk është pjesë e ekipit për këtë takim. Kjo pak a shumë është situata dhe me këtë dua të them se kemi probleme mungesash.
– A i ka Skënderbeu mundësitë të marrë diçka në këtë ndeshje, pavarësisht mungesave?
– Kemi një grup të mirë lojtarësh dhe do të mundohemi të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Mungesat janë të rëndësishme, por do të kërkojmë të gjejmë përgjigjet e duhura edhe nga ata që do të luajnë titullarë në këtë takim. E dinim që do të vinin të tilla situata dhe kemi marrë masat e duhura për të bërë mirë, pavarësisht mungesave.
– Sulmuesi Ali Soue, do të luajë në këtë ndeshje?
– Padyshim që po, ai është bashkuar me ekipin dhe do të jetë gati për këtë ndeshje. Kjo zgjidhej vjen edhe si rezultat i dëmtimit të Nesporit.
Jeni 7 pikë para vendit të dytë, a do të kënaqeshit edhe me një barazim në fushën e Flamurtarit?
– Ne hyjmë në fushë vetëm për fitore, pavarësisht se ku luhet ndeshja dhe ndaj cilit ekip luajmë. Do të hyjmë vetëm për 3 pikët në fushë. Më pas, një ndeshje i ka të tre rezultatet dhe do të shohim çfarë do të rezervojë loja.
– Këto 10 ditë përgatitje pa ndeshje, ishin në një farë mënyrë edhe karikim i baterive për Skënderbeun?
– Sigurisht që po. E kam thënë shumë herë që kishim nevojë për këtë pushim dhe erdhi në momentin e duhur. Them se të gjithëve na bëri mirë dhe tani duhet të përqendrohemi sërish për të marrë më të mirën në çdo ndeshje, edhe pse kalendari është shumë i ngjeshur.
Pas Flamurtarit vjen Kamza në Korçë dhe më pas luani ndaj Dinamos së Kievit…
– Nuk mendoj asnjë kundërshtar tjetër, përveç Flamurtarit. Jemi të përqendruar 100% te ky takim. Për të tjerat, kur të vijë radha do të mendojmë. Jo vetëm unë, por edhe lojtarët, e kemi mendjen te fusha e Vlorës, siç e theksova edhe më sipër. Shkojmë për të marrë më të mirën.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.