Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, ka qenë mjaft i kënaqur nga fitorja e bukur arritur në Durrës, edhe pse nuk e fsheh se duhej mbyllur ndeshja më herët dhe penalltia e dhënë nga anësori e ka zemëruar pa masë.
“Një fitore shumë e rëndësishme, ndaj një Teute që ishte më lart në renditje, por jo më lart se ne në lojë dhe përbërje. Më erdhi keq që nuk shënuam më shumë gola, ndërsa Teutën e futi në lojë arbitri, me një penallti inekzistente. Duke parë edhe pamjet filmike, duket qartë që është jashtë zone faulli dhe më vjen keq që një anësor bëhet protagonist, duke rihapur një ndeshje të mbyllur. Do ishte një fatkeqësi nëse lëshonim pikë për një gabim të tillë të arbitrimit.
“Kemi luajtur një ndeshje të mirë, kemi shënuar dy gola dhe me Bushiç, Kamara e Danilo Alvesh kishim shumë mundësi të tjera. Teuta nuk krijoi asnjë rast për shënim dhe vetëm hidhej në zonë, duke kërkuar 11-metërsh, që e mori nga arbitri, që e hëngri presionin me sa duket.
“Formacioni me Veliun e Bicajn, kur të kthehen? Asnjë problem për mua, kampionati është shumë i gjatë dhe duhen lojtarë për ta përballuar. Kemi pasur Veliun e Bicajn, por edhe Zhufon jashtë, ndaj nuk është e lehtë, por kam një skuadër me lojtarët që më duhen, si Pollozhani, që është lojtar polivalent, ndaj mungesat përballohen më lehtë kur ke lojtarë polivalentë. Dua skuadër të vogël, por funksionale, nuk dua 30 lojtarë në skuadër”.