Tirana e mbylli me fitore fazën përgatitore, teksa mposhti me shifrat 2-1 Strugën në ndeshjen e fundit miqësore. Pas ndeshjes Mazrekaj ka folur për “Supersport”, ku është shprehur se Struga e tij qendron në të njëjtin nivel me Tiranën dhe Partizanin. Sa i përket raportit të ngushtë me Duron, anësori i Strugës ka thënë se të dy e njohin në mënyrë të përsosur njëri-tjetrin.
“Jemi paraqitur mirë në ndeshje, nuk ka rëndësi rezultati sepse e kemi mendjen te ndeshjet europiane dhe po përgatitemi për to. Por, jemi në një nivel me dy skuadrat më të mira të kampionatit shqiptar (Tirana dhe Partizani) edhe pse kemi humbur, kemi luajtur më mirë se ato.
Është hera e parë për Strugën në Champions dhe objektivat janë që të kalojë një raund, kemi lojtarë me përvojë si Ibrahimi dhe Shabani. Ta shohim, ndeshjen e parë jemi 50 me 50, ata kanë më shumë përvojë. Edhe për mua është aventura e parë në Champions, viti i katërt që bashkëpunoj me trajner Duron, kemi një simpati për njëri-tjetrin. E njohim gjuhën e njëri-tjetrit në mënyrë perfekte”, është shprehur Mentor Mazrekaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/