Derbi shqiptarësh në Greqi dhe në fund fitorja ka shkuar për Fiorin Durmishajn, i cili kishte përballë Mërgim Mavrajn dhe Migjen Bashën. Sulmuesi nuk arriti të shënojë për skuadrën e tij, por ishte Dominguez që realizoi në fund të pjesës së parë.
Panionios triumfoi 1-0 kundër Arisit të Selanikut, që mesfushorit Basha i dha vetëm 45 minuta në fushën e blertë, pasi mbeti në dhomat e zhveshjes në pushim. Mavraj dhe Durmishaj luajtën deri në vërshëllimën e fundit.
Një tjetër lojtar i kombëtares luajti në elitën e futbollit grek sot. Bëhet fjalë për mbrojtësin Enea Mihaj, i cili ishte titullar në takimin që Panetolikos fitoi 2-1 kundër Levadiakos. Qendërmbrojtësi ndihmoi skuadrën e tij të fitonte dhe tanimë bëhet gati për ndeshjet me Jordaninë dhe Izraelin me fanellën e kombëtares.