Santiliano Dule ka marrë drejtimin e Tomorit dhe pas pranimit të ofertës ka pranuar të flasë për rikthimin në krye të ekipit beratas. Ai është optimist për pjesën e dytë të sezonit, ndërkohë që thekson se beson te grupi aktual i lojtarëve. Sigurisht kërkon që drejtuesit të bëjnë edhe disa ndërhyrje në merkato, në mënyrë që Tomori të plotësojë objektivat e klubit.
“Ndihem i lumtur që më është besuar pikërisht mua drejtimi i skuadrës në një situatë jo fortë të mirë rezultatesh. Jam njohur nga afër me planin e klubit dhe nuk kam hezituar aspak për të pranuar një ofertë të tillë. Tomori për mua është si dashuria e një nëne për fëmijën e vet, duke dëshiruar që ta shikoj atë gjithnjë sa më mirë dhe të bëhet një shembull për t’u ndjekur”.
“E njoh 50% e skuadrës, ku duhet të them që ka emra të mëdhenj, si Çaço, Sharavolli, Paja, Kaloshi, Mersini dhe Koleci, të cilët i kam pasur nën urdhrat e mia në sezonin 2017-2018. Gjithashtu, ndihem i lumtur që do të kem në dispozicion futbollist si: Mujkiç, Beci, Friday, Dyca, Kingsley e Gjonaj, për të cilët mund të kenë ‘zili’ shumë klube të Kategorisë së Parë”.
“Dëmtimet dhe penalizimet i ka bërë ata që mos të tregojnë 100% e tyre. Me shumë besim e them se do të minimizojmë dy problemet kyçe të mësipërme. Krahas kësaj skuadra ndodhet në një pesimizëm që e ka mbërthyer prej disa javësh dhe kjo nuk i shërben askujt”.
“Merkato? Më duhen 3-4 prurje për të rritur nivelin dhe konkurrencën brenda grupit. Kalendarin e kemi ne favorin tonë, por jo pikët. Besoj se do t’i fitojmë të tre ndeshjet dhe më pas do të jetë ecuria e kundërshtarëve që do të vendos fatin tonë”.