Nga Klaudio Ndreca
Aftësi të shkëlqyera dhe një qetësi për Paderbornin dhe Kombëtaren është Klaus Gjasula. Por nëse ka një pikë të dobët të këtij lojtari, janë padyshim…kartonët! Është thuajse e pamundur që mesfushori ynë ta mbyllë ndeshjen pa u ndëshkuar me të verdhë, ndërsa një gjë e tillë ka ndodhur edhe në përballjen e sotme ndaj Hoffeneim.
Në javën e shkuar kur rinisi edhe Bundesliga pas COVID-19, trajneri i Paderborni kërcënoi lojtarët dhe Gjasulën duke ia bërë të qartë se nëse merrnin të verdhë, atëherë do të zëvendësoheshin. Tashmë një luks i tillë është krijuar pasi lejohen deri në 5 zëvendësime. Pikërisht për këtë arsye Gjasula do të largohej ndaj Duseldorfit pas 45 minutash, bashkuar edhe me një goditje të marrë në fytyrë.
Ndërkohë në përballjen e sotme ndaj Hoffeneim ndëshkimi me kartonin e verdhë vetëm sa ka vonuar disi, pasi është marrë në minutën e 60. I dyti radhazi në dy ndeshjet e zhvilluara pas pandemisë, por Gjasula do të shkruhet në historinë e Bundesligës, megjithëse debutoi vetëm këtë sezon.
“Luftëtari shqiptar” bëhet lojtari i parë në elitën e futbollit gjerman që merrë 14 kartona të verdhë në 27 ndeshjet e para të zhvilluara. Me helmetën dhe paraqitjen si të ishte tek “Vikingët” duke luftuar, as vetë trajneri i Paderbornit nuk e ka mbajtur të qeshurën pas ndëshkimit. Në një farë mënyrë duke e kuptuar se Gjasula e ka në karakter shpirtin luftarak dhe nuk mund të bëhet dot asgjë për ta këshilluar që të ndryshojë. /Sport Ekspres/